Gjykimi për krim të organizuar - Foto: KALLXO.com

Dështon seanca në gjykimin e të akuzuarve edhe për kontrabandim të ‘Viagrave’

Seanca e paraparë të mbahej sot në Gjykatën e Mitrovicës, ku për veprën penale – krim i organizuar ngarkohen tre zyrtarë doganorë të pikës kufitare në Jarinjë dhe 39 persona të tjerë, shumica prej të cilëve biznesmenë, ka dështuar të mbahet.

Ky është njëri nga rastet e shënjestruara për liberalizimin e vizave në Gjykatën e Mitrovicës.

Arsye e mosmbajtjes së kësaj seance ishte kërkesa e prokurorit nga Prokuroria Speciale Agron Bajrami si dhe e avokatit Gezim Baloku.

Avokati Baloku në kërkesën e tij për shtyrjen e seancës kishte treguar që më 1 dhe 4 të këtij muaji, data këto në të cilat ishte caktuar të mbahet ky gjykim, ishte i zënë në një çështje tjetër penale në Gjykatën e Prishtinës, ku i mbrojturi i tij ishte nën masën e paraburgimit.

Ndërsa prokurori Agron Bajrami përmes kërkesës për shtyrjen e seancës ka treguar se me datën 3 dhe 5 është i zënë në një çështje tjetër penale për të cilën kishte pranuar ftesat që më herët.

Kryetari i trupit gjykues në këtë rast, Burim Ademi, njoftoi palët se duke marrë parasysh këto kërkesa dhe mungesën e disa avokatëve siç u konstatua në seancë, nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e seancës.

Me aktvendim seancat e këtij shqyrtimi gjyqësor që ishin caktuar të mbahen më 1, 2, 3, 4 dhe 5 tetor, janë shtyrë.

Ndërsa seancat e radhës janë caktuar për më 20, 21 dhe 22 nëntor.

Gjykata ua ka tërhequr vërejtjen të pandehurve se në rast se nuk i përgjigjen Gjykatës do të ndërmerren ndaj tyre veprime ligjore.

https://kallxo.com/ndihen-te-pafajshem-42-te-akuzuarit-per-krim-te-organizuar/

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale, të akuzuarit nga janari 2015 deri më 22 mars 2016 me dashje, me dijeni, në mënyrë të qëllimshme dhe në grup të organizuar kanë kryer vepra penale që janë të dënueshme me burgim së paku katër vjet.

Gjithashtu, të akuzuarit në mënyrë të sofistikuar kishin arritur të organizojnë tri skema të punës apo më saktë: import të kundërligjshëm përmes mosdeklarimit të saktë të mallrave të llojit cigare dhe kontrabandimit të tyre, kontrabandimit të produkteve farmaceutike dhe stimuluesve seksualë të llojit “Kamagra” dhe “Viagra”.

Në këtë mënyrë Argëtim Ismaili, Armend Smaili, Arben Ismaili, Shkumbim Ismaili, Afrim Rrustolli, Besim Biberoviq, Mursel Çalakoviq, Bahri Rexhepi, Liridon Borovci, Haki Isufi, Radisav Mutavxhiq, Milan Stojanoviq, Mirko Iliq, Ramush Salihu, Zekri Salihu, Shkëlzen Salihu, Ismet Zeqiri, Blerim Avdylaj, Kujtim Avdylaj, Nexhmedin Bajrami, Dukagjin Kollçaku, Ardian Rraci, Ahmet Syla, Ruzhi Kolica, Afrim Hoti, Imri Bajrami, Alban Islami, Nimon Zogaj, Nezir Zogaj, Afrim Xhaçkaj, Rinor Rrustolli, Arben Rrustolli, Lulzim Kastrati, Gazi Tarashaj, Artan Kurpalaj, Florim Krasniqi, Reshat Kamberaj, Endrit Kllokoqi, Ramadan Mehmeti, Hasan Rexhepbeqaj, Zenel Isufi dhe Xhemail Islami akuzohen se në grup të organizuar duke u shmangur nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore  apo tarifave të tjera me rastin e importimit apo eksportimit të mallrave të llojit cigare, produkte farmaceutike dhe stimuluesve seksualë që rezultojnë me shmangie të përgjithshme doganore në shumë prej 1.666.842.07 euro dhe njëkohësisht duke iu shmangur obligimeve tatimore për mallrat e lartcekura dhe mosdeklarimit të saktë të pasqyrave financiare që rezultojnë në shumën prej 2,430,620.16 e që njëkohësisht është përfitim i kundërligjshëm gjatë periudhës së aktiviteti kriminal të këtyre të pandehurve të lartcekur.

Në këtë grup të akuzuar janë edhe zyrtarët doganorë në pikën kufitare të Jarinjes Mensur Bekteshi, Vladislav Trajkoviq dhe Ramadan Bajra, që në këtë proces gjyqësor akuzohen për keqpërdorim detyre.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të gjithë këta e kanë ditur që janë të përfshirë në veprimtari të kundërligjshme, për çka mund të dënohen me burgim mbi katër vite, mirëpo prapë kanë realizuar dëshirën e tyre me qëllim të realizimit të dobisë financiare, apo dobisë tjetër pasurore.

Në 19 pika të aktakuzës është përshkruar veç e veç veprimi i secilit prej të akuzuarve.

Ndryshe pjesë e këtij grupi kanë qenë edhe katër të akuzuarit e tjerë, Imri Bajrami, Nimon Zogaj, Mirko Iliq dhe Mursel Calakoviq, për të cilët në janar të këtij viti është veçuar procedura.