Gjykimi për drogë dhe kontrabandim me migrantë

Dështon seanca ndaj të akuzuarve për drogë dhe kontrabandim me migrantë

Për të dytën herë dështon seanca gjyqësore në mungesë të dëshmitarit, në gjykimin ndaj Dardan Blakaj, Shaban Ramaj, Ardisan Zogaj dhe Shefqet Zogaj, të akuzuar për veprat penale që lidhen më narkotikë dhe kontrabandë me migrantë.

Në seancën e sotme ishte paraparë të dëgjohet dëshmitari Admir Murati, mirëpo mungesa e tij, bëri që seanca të dështojë përsëri.

Gjykatësi Vesel Ismajli, deklaroi se ka biseduar përmes telefonit me prindin e dëshmitarit, por i njëjti i ka treguar se djali i tij gjendet jashtë qytetit.

“Unë  po sa fola me prindin e tij, dhe na njoftoi se Admiri gjendet në Prizren”, tha gjykatësi Ismajli.

Më tutje trupi gjykues në mungesë të dëshmitarit shtyu seancën për datën 5 prill.

Të akuzuarit ishin të ngarkuar edhe për veprat penale, armëmbajtje pa leje dhe të falsifikimit të dokumenteve, mirëpo për këto dy vepra ndaj tyre ka pushuar procedura.

Në seancat e kaluara  gjykatësi Vesel Ismajli,  ka deklaruar se vepra penale e armëmbajtjes pa leje është amnistuar në ndërkohë me Ligjin për Amnisti, kurse, për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve, veçse është arritur parashkrimi absolut.

https://kallxo.com/mungesa-e-deshmitarit-e-deshton-seancen-per-dorge-e-trafikim-me-migrante/

Sipas aktakuzës së  ngritur nga ish Prokuroria e Qarkut në Prishtinë  me 15 qershor të vitit 2012 të pandehurit Dardan Blakaj, Shaban Ramaj, Shefqet Zogaj dhe Ardisan Zogaj nga fundi i muajit qershor të vitit 2011, në bashkëkryerje me qëllim vetit t`i sjellin përfitime pasurore të kundërligjshme, ishin marrë vesh në mes veti për trafikim të substancave narkotike.

Sipas Aktakuzës të akuzuarit kishin arritur të sigurojnë dhe shisnin rreth 50 gram,  substanca kokainë, dhe kanë kontaktuar dhe bashkëpunuar edhe me persona jashtë Kosove, si në Shqipëri, Turqi, me qëllim të trafikimit ndërkombëtar të narkotikut, me çka kanë kryer veprën penale blerje, posedim, shpërndarje, dhe shitjen e pa autorizuar e narkotikeve.

Gjithnjë sipas aktakuzës të pandehurit Shaban Ramaj dhe Dardan Blakaj me qëllim që vetit t`i sjellin dobi pasurore janë marrë me trafikim me migrantë.  Sipas aktakuzës të akuzuarit të dëmtuarve Arianit Bajraktari dhe Adnan Geci, pasi që ju kanë marrë një sasi të konsiderueshme parash, gjoja për t`i dërguar në Amerikë, i kanë dërguar në aeroport në Turqi, dhe pas dështimit pas dy muajve të njëjtit janë kthyer në Kosovë, me çka kanë kryer veprën penale kontrabandë me migrantë.

Më tutje sipas aktakuzës të pandehurit Dardan Blakaj dhe Shaban Ramaj dyshohen se janë marrë për falsifikimin e dokumenteve, pasaportave biometrike, sigurimin e vizave, duke i mashtruar Fatmir Maxhunin, Shpend Salihu, Artan Abitin dhe Visar Jasharin, nga të cilët kanë marrë para.

Mirëpo nuk kanë arritur që t’iu sigurojnë dokumentet me çka kanë kryer veprën penale falsifikim i dokumenteve. Prokuroria gjithashtu i kishte ngarkuar të akuzuarit Dardan Blakaj, Shaban Ramaj dhe Ardisan Zogaj, edhe për veprën penale mbajtje në pronësi, kontrollim ose shfrytëzim të armëve.