Gjykimi i Agim Ademit dhe Muharrem Ramës – Foto: KALLXO.com

Dështon seanca ndaj kryetarit të FFK-së Agim Ademi

Udhëtimi jashtë vendit i gjykatëses Valbona Selimaj ka bërë që gjykimi ndaj Agim Ademit dhe Muharrem Ramës të shtyhet.

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi dhe Muharrem Rama akuzohen për veprat penale të detyrimit dhe ushtrimit të ndikimit në lidhje me ndryshimin e statusit të një ngastre të tokës.

Mbrojtësi i të akuzuarit Muharrem Rama, avokati Ramiz Krasniqi ka bërë të ditur për KALLXO.com se seanca e sotme nuk do të mbahet.

“Na kanë njoftuar se gjyqtarja gjendet në udhëtim jashtë vendit, dhe seanca pritet të mbahet të premten”, tha avokati Ramiz Krasniqi.

Vlen të ceket se edhe seanca e datës 20 mars, ishte shtyrë për arsye se gjykatësja Selimaj kishte qenë në pushim mjekësor.

https://kallxo.com/gjykatesja-ne-pushim-mjekesor-shtyhet-gjykimi-ndaj-kryetarit-te-ffk-se/

Agim Ademi e Muharrem Rama akuzohen se në periudhën kohore nga 12 korriku i vitit 2012 e deri më 12 shtator të po të njëjtit vit, në bashkëkryerje dhe me dashje të përfitimit material për veten e tyre apo për personin tjetër, kanë përdorur kërcënimin serioz me vdekje në atë mënyrë që sipas Prokurorisë i akuzuari Muharrem Rama e ka sulmuar fizikisht viktimën Dritëro Kadolli që ta detyrojë atë që të bëjë një veprim në dëm të pasurisë së tij, respektivisht t’ua jep atyre një veturë të tipit BMW X5, veturë e cila më pas pretendohet se do t’i dorëzohej Sami Hamitit.

Tutje në pikën e dytë të kësaj aktakuze thuhet se të akuzuarit e lartpërmendur gjatë periudhës së njëjtë kohore në bashkëkryerje kanë kërkuar nga Dritëro Kadolli shumën prej tridhjetëmijë eurove apo një veturë të tipit BMW X5, në lidhje me ushtrimin e ndikimit jo të duhur të tyre në vendimmarrjen e ish-kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prishtinës, Sami Hamiti, që të ndryshojë statusin e një ngastre toke nga “zona e gjelbëruar” në “zonë ndërtimore”.