Prokurori i suspenduar, Bajram Hamitaga, para Gjykatës (Arkiv)- Foto: KALLXO.com

Dështon seanca ndaj ish-prokurorit Bajram Hamitaga

Seanca në procesin gjyqësor ku i akuzuar kryesor është ish prokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Bajram Hamitaga, nuk është mbajtur sot për shkak të mungesës së prokurorit dhe njërit nga të akuzuarit.

Përveç prokurorit Arben Ismajli, në sallë të Gjykatës Themelore në Gjilan ka munguar edhe i akuzuari Luan Delili.

Kryetari i trupit gjykues, Aziz Shaqiri, njoftoi palët se prokurori Ismajli ka qenë i angazhuar në Këshillin Prokurorial.

Ndërkaq për të akuzuarin Luan Delili u tha se i janë paraqitur probleme rrugës për në gjykatë.

Në këtë proces gjyqësor prokurori Bajram Hamitaga akuzohet për keqpërdorim detyre, ndërsa Luan Delili për frikësim ndaj procedurës penale.

Hetimet ndaj Hamitagës dhe Delilit filluan menjëherë pas transmetimit të emisionit “Drejtësia në Kosovë” në maj të vitit 2016, në të cilin prokurori akuzohej se ka kërkuar favore nga një i dyshuar ndaj të cilit ai po i zhvillonte hetimet.

Aktakuza ndaj Hamitagës dhe Delilit u ngrit nga Prokuroria Themelore në Gjilan më 26 shtator.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Hamitaga, i cili ka qenë prokuror në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, nga muaji korrik i vitit 2013 deri më 22 janar 2015, në cilësinë e personit zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe djalin e tij, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tij zyrtar, nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me çka ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar.

I  pandehuri i dytë i këtij rasti, Luan Delili, më 8.4.2016, akuzohet se  me anë të premtimit e ka nxitur personin tjetër që të përmbahet nga dhënia e deklaratave, në mënyrë që të tërhiqet nga dhënia e deklaratave që i ka dhënë në seancën gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prizren, se i pandehuri i parë B.H., ka kërkuar 5.000 euro, me çka ka kryer veprën penale të frikësimit gjatë procedurës penale.

Hamitaga dhe Delili janë deklaruar të pafajshëm në pretendimet e prokurorisë.

Seanca e radhës u caktua më 31 maj.

Kallxo.com e ka përcjellë në vazhdimësi rastin ndaj ish- prokurorit Hamitaga. Artikujt nga ky proces mund t’i lexoni në këtë link.