Pamje nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit (Arkiv)- Foto: KALLXO.com

Dështon Organizimi i një Seance për Astrit Deharin

Anëtarja e Lëvizjes Vetëvendosje në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës, Aida Dërguti, ka lëshuar mbledhjen e sotme në shenjë proteste ndaj tërheqjes së një nënshkrimi lidhur me kërkesën e VV-së për një seancë të jashtëzakonshme ku do të diskutohej rasti i vdekjes së Astrit Deharit.

“Siç e dini VV është duke mbledhur nënshkrimet për një seancë të jashtëzakonshme. Patëm tërheqje të një nënshkrimi në momentin e fundit. Kjo është edhe arsyeja pse e lëshuam mbledhjen e Kryesisë”, tha deputetja Dërguti.

Sipas saj, tërheqja e nënshkrimit nga deputeti Bislim Zogaj (PDK), është bërë prej trysnisë së krerëve partiakë.

“Kërkesa ka të bëjë me vdekjen e dhunshme të Astrit Deharit, të cilën ky Kuvend nuk është në gjendje ta diskutojë as në një seancë”, tha ajo.

“Kemi pasë qëllim që në fund të dilnim me rezolutë, ku njëra nga kërkesat do të ishte një hetim i pavarur. Frika për të diskutuar tregon mungesën e transparencës”, theksoi Aida Dërguti, duke shtuar se me tërheqjen e deputetit të PDK-së nuk janë siguruar 40 nënshkrime për të thirrur seancë.

Deputeti Bislim Zogaj tërheqjen e nënshkrimit të tij e ka arsyetuar me faktin se do të presë për përfundimin e hetimeve rreth vdekjes së Astrit Deharit.

Ndërsa, kryetari i Kuvendit, i cili është edhe kryetar i PDK-së, hodhi poshtë akuzat e deputetes Dërguti për presion mbi deputetin Bislim Zogaj.

“Askujt nuk mund t’i bëj presion, drejtojuni z. Zogaj!”, tha kryetari Veseli.

Lidhur me vdekjen e Astrit Deharit, kryekuvendari tha se dhembja njerëzore e tragjedia familjare na mbanë të gjithëve bashkë.

Ai apeloi që të kihet besim në institucione dhe të pritet përgjigjja e institucioneve.

“Të vërtetës do t’i shkojmë deri në fund. Nëse është nevoja do të angazhojmë edhe ekspertë të jashtëm. Nuk ka me mujtë askush me manipulu me këtë rast, as nga pozita e as nga opozita”, tha Veseli dhe shtoi se nuk është e ndershme që tragjeditë e tilla të manipulohen politikisht.