Mbledhja e kryesisë së Kuvendit. Foto: Kallxo.com

Dështon Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, Mungon Kuorumi

Kryesia e Kuvendit të Kosovës nuk ka mundur të mblidhet për të vendosur për çështjet në rend të ditës për shkak të mungesës së kuorumit.

Në mbledhjen që filloi në mesditë ishin të pranishëm vetëm kryetari i Kuvendit Kadri Veseli dhe anëtarët e kryesisë Xhavit Haliti (PDK) dhe Kujtim Shala (LDK) ndërsa aty nuk u paraqitën anëtarët tjerë të kryesisë nga vetëvendosje dhe komunitetet pakicë.

“Ajo çka kemi nevojë është që kolegët të marrin pjesë në mbledhje të kryesisë”, tha Veseli i përballur me karriget e zbrazëta në tavolinën e sallës së mbledhjeve.

“Në këtë rrethanë po e mbylli mbledhjen e kryesisë e do t’ju thërras javën e ardhshme”, shtoi ai në mbledhjen e cila nuk zgjati më shumë se 2 minuta.

Në këtë mbledhje ka qenë dashur të shqyrtohet edhe kërkesa e 43 deputetëve për seancë të jashtëzakonshme për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, të bërë më 22 dhjetor të vitit të kaluar.

Më herët gjatë ditës, ambasadori amerikan Greg Delawie paralajmëroi pasoja për deputetët të cilën do ta mbështesnin shfuqizimin e Gjykatës Speciale.