Dështon konkursi për Drejtor të Agjencisë së Punësimit

Konkursi për Drejtorin e Agjencisë së Punësimit është anuluar në mungesë të tre kandidatëve të suksesshëm. Nga tre kandidatë që ishin përzgjedhur për intervistim, njëri nuk është paraqitur fare në intervistim, që e ka bërë të pamundur vazhdimin e intervistave. Sipas kërkesës ligjore, procesi nuk mund të vazhdoj tutje me vetëm dy kandidatë.

Ky konkurs është zhvilluar në bashkëpunim me BDO-në, kompaninë e angazhuar nga Ambasada Britanike për t’i ofruar asistencë institucioneve në rekrutimin e pozitave të larta.

Konkursi ishte shpallur me 22 dhjetor 2018, nga Ministria e Administratës Publike.

Në lidhje me këtë pozitë kishin aplikuar më shumë kandidatë, por vetëm tre prej tyre kishin plotësuar kriteret e parapara në konkurs.

Në konkursin e shpallur, thuhet se paga e Drejtorit të Agjencisë së Punësimit është 1 mijë e 171 euro.

Detyrat dhe përgjegjësit e Drejtorit të Agjencisë së Punësimit, sipas konkursit të shpallur janë  që të siguroj këshilla të politikave për Ministrin, të siguroj që vendimet e politikave dhe masat tjera të Agjencisë të zbatohen në mënyrë efikase dhe efektive

Drejtori ka obligim të siguroj që masat zbatuese të Agjencisë të monitorohen rregullisht dhe që të merren masa korrigjuese në rast të pengesave, menaxhon nëpunësit civil dhe punonjësit tjerë të Agjencisë,  menaxhon financat dhe burimet e tjera të Agjencisë, menaxhon rrjedhën e informacionit në Agjencisë dhe koordinon raportet e Agjencisë me organet e tjera vartëse administrative.

Përzgjedhja e Drejtorit të Përgjithshëm bëhet në pajtim me Ligjin Nr. 03/L-149 për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës dhe Rregulloren Nr. 06/2010 për Procedurat e Emërimit në Pozita të Larta Drejtuese në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës dhe Rregullores Nr. 02/2010 për Procedurat e Rekrutimit në Shërbimin Civil.

Në vitin 2017 në këtë pozitë ishte zgjedhur Drin Haraqija përmes një konkursi. Mirëpo, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, në fillim të vitit 2018, kishte gjetur shkelje dhe kishte kërkuar që konkursi të anulohet.