Dështon Dy Herë Tenderi për Grumbullimin e Qenve Endacakë në Gjakovë

Rreth Draft-Rregullores për Kushtet e Mbajtjes së Qenve dhe Maceve dhe Mënyrës së Veprimit në Rast të Braktisjes apo Humbjes së Tyre të premten është mbajtur debat publik i zyrtarëve të Komunës së Gjakovës dhe qytetarëve të këtushëm.

Debatin me qytetarë e hapi shefi i kabinetit të kryetares së komunës Ali Tafarshiku, duke treguar se me rregulloren për trajtimin e qenve dhe maceve pushteti lokal i Gjakovës po synon që problemet që shkaktojnë këto kafshë të barten në nivel insrtitucional.

“Pasi që në veçanti nga qentë endacakë jemi duke iu ekspozuar një rreziku permanent dhe mu për këtë përmes kësaj draft-rregulloreje pretendojmë të ofrojmë edhe siguri fizike për qentë endacakë, e kjo mundësohet përmes shërbimeve tona,” tha Tafarshiku.

Zyrtari ligjor i Komunës së Gjakovës Flamur Vula që shërbeu si këshilltar gjatë hartimit të rregullores për qentë dhe macet, tregoi se draft-rregullorja parasheh edhe hapjen e një strehimoreje për kafshët endacake dhe ato të humbura, ose të braktisura nga pronarët.

Ndërsa Shkumbin Kastrati drejtor i Shërbimeve Publike njoftoi të pranishmit se komuna dy herë ka hapur temder për trajtimin e qenve endacakë dhe në të dy rastet tenderi ka dështuar.

“Herën e parë ka qenë vetëm një aplikues dhe është rishpallur tenderi, më pas kanë qenë gjashtë aplikues. Mirëpo Zyra e Prokurimit ka konstatuar se asnjëri prej aplikuesve nuk ka qenë i përgjegjshëm, duke mos iu përshtatur kritereve të tenderit,” sqaroi Kastrati.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që nëse kanë ide për këtë problem të shkojnë çdo ditë në Drejtorinë e Shërbimeve Publike që t’i kontribuojnë finalizimit të rregullores.

Në korrik të vitit të kaluar KALLXO.com-i shkroi se Komuna e Gjakovës është duke i zënë qentë endacakë për t’i dërguar në strehimoren e Rahovecit.

Atëherë zyrtari komunal Ali Tafarshiku kishte thënë se Gjakova ka në plan ndërtimin e një strehimoreje të veten për qen.

Vitin e kaluar dhe sivjet janë shënuar disa sulme të qenve endacakë kryesisht ndaj fëmijëve, nga të cilat një shtatvjeçar vdiq në dhjetor 2014.