Raportimi i Behgjet Pacollit ne Komisionin per Pune te Jashtme - 19.12.2018 - FOTO KALLXO

Dështimi në INTERPOL, Pacolli kërkon të mbyllet për media raportimi i tij

Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli gjatë raportimit para Komisionit për Punë të Jashtme ka kërkuar nga anëtarët që tema për mosanëtarësimin e Kosovës në INTERPOL  të jetë e mbyllur për media.

Mirëpo, me kërkesë të disa deputetëve u vendos që ministri të flas përgjithësisht për INTERPOL-in, duke pasur mundësi që për disa çështje të mos jap informacione.

Anëtari i Komisionit Glauk Konjufca (LVV), tha se çështja e INTERPOL-it nuk ka arsye të jetë e mbyllur për publikun.

“Pse duhet të jetë temë e mbyllur kur çështja e INTERPOL-it është publike. Është thirrur edhe interpelancë për këtë çështje”, tha Konjufca.

Kryetarja e Komisionit, Vjosa Osmani tha se ministrat “kanë të drejtë që të bëjnë kërkesë që tema të caktuara të ndjeshme të mbahen prapa dyerve të mbyllura”.

Pas këtyre diskutimeve, ministri Pacolli tha se pajtohet me kërkesat dhe se për INTERPOL-in disa çështje nuk mund t`i deklarojë në prezencë të mediave.