Dëshmitarja Thotë Se e Pa Oliver Ivanoviqin me Uniformë Policie

Besa Sokoli nga Mitrovica dëshmoi sot në gjykimin kundër Oliver Ivanoviqit dhe katër personave tjerë të akuzuar për krime lufte në vitin 1999 dhe vrasje në vitin 2000.

Pasi u pyet nga prokurori Michalzcuk se a i njeh të akuzuarit, dëshmitarja tha se e njihte vetëm Oliver Ivanoviqin, ndërsa jo edhe katër të tjerët.

Ajo më tutje deklaroi se Ivanoviqin e njeh, pasi e kishte parë gjatë kohës së luftës të veshur me uniformë policie.

Edhe Qerkin Ibishi, që dëshmoi më 11 mars, pati thënë se e pa Ivanoviqin në Mitrovicë me uniformën e policisë serbe.

Nebojsha Vllajiq, avokati i Ivanoviqit tha për KALLXO.com se nuk është shumë e rëndësishme nëse dëshmitarja e ka parë të uniformuar klientin e tij.

“Ajo nuk e ka parë duke kryer krime”, tha Vllajiq.

Gjatë seancës dëshmitarja Besa Sokoli u pyet nga prokurori Michalzcuk se ku ndodhej në natën e 3 shkurtit të vitit 2000.

Sokoli tha se ka qenë në banesën e saj në Rrugën “Mbreti Petër” dhe nuk ka parë se çfarë po ndodh jashtë.

“Kemi qenë të mbyllur dhe ka qenë një natë e frikshme”, tha Sokoli.

Ajo tregoi se pas kalimit të kësaj nate, në mëngjesin e katër shkurtit të para 15 vjetëve ka ardhur një person te banesa e saj dhe ka pyetur nëse kjo banesë është e Rexhep Sokolit.

Pasi dëshmitarja ishte përgjigjur pozitivisht, personi i ardhur i etnisë serbe i kishte kërkuar dëshmitares që të shkojnë në shtëpinë e në shtëpinë e vëllait të Rexhepit, Muharremit sepse ai ishte vrarë një natë më herët.

“Na ka marrë prej banese dhe kemi shkuar rrugëve dytësore”, tha Sokoli duke shtuar se kishte turma të mëdha të njerëzve nëpër rrugë kryesore.

Me arritjen te shtëpia e Muharremit, gruaja e tij sipas dëshmitares u kishte treguar se si ishte vrarë burri i saj.

Ajo kishte shpjeguar se disa persona kishin ardhur te dera e banesës, ndërsa Muharremi ishte goditur menjëherë me thikë.

Muharrem Sokolit sipas gruas së tij personat që e sulmuan i kishin hapur një vrimë në trup dhe i kishin futur një granatë e cila shpërtheu duke  ia dëmtuar rëndë trupin.

“Nuk e kemi njohur trupin”, tha dëshmitarja Besa Sokoli.

Prokurori Michalzcuk pyet Sokolin se kush kanë qenë ata persona.

“Gruaja e Muharremit e di këtë. Unë nuk e di se kush janë”, është përgjigjur Sokoli.

Në natën mes 3 e 4 shkurtit të vitit 2000 në pjesën veriore të Mitrovicës u vranë dhjetë shqiptarë, shumë të tjerë u plagosën, ndërsa një numër i madh personash lëshuan shtëpitë dhe banesat.

Bashkë me Oliver Ivanoviqin në këtë gjykim janë edhe katër persona tjerë- Dragolub Delibashiq – ish polici serb, Ilija Vujaçiq, Nebojsha Vujaçiq dhe Aleksandar Llazoviq.

Oliver Ivanoviqi akuzohet të ketë kryer krime të luftës gjatë vitit 1999. Ai gjithashtu, bashkë me ish-policin serb, Dragolub Delibashiq, akuzohet të ketë kryer vrasje gjatë përleshjeve, të cilat lanë 10 shqiptarë të vrarë dhe shumë të plagosur në shkurt të vitit 2000.

Tre të akuzuar tjerë, Ilija Vujaçiq, Nebojsha Vujaçiq dhe Aleksandar Llazoviq, akuzohen për vrasje dhe tentim vrasje në shkurt të vitit 2000.