Gjykimi për krime lufte | Foto: KALLXO.com

Dëshmitarja: Axhën dhe vëllain i detyruan të këndojnë serbisht

Në gjykimin për krime lufte të Skender Bislimit, ish-fqinja e tij- dëshmitarja Haxhere Jashari tha se burrat u rrahën dhe u detyruan të këndojnë serbisht.

“Axhën e vëllain i kanë rreh edhe tjerë aty afër tyre, i kanë shti me knu serbisht, si Beogradi, Sllobodani…”, tha dëshmitarja, duke shtuar më tutje se te një udhëkryq në Fushë-Kosovë në rrugën për Prishtinë, burrat janë rrahur për rreth 30 minuta.

Më 26 mars 1999, xhaxhai i dëshmitares ishte marrë nga turma e të ndaluarve për t’u gjetur më pas në një varrezë masive në “Dragodan”.

Dëshmitarja Jashari përshkroi në gjykatë ditën e 26 marsit 1999.

“Në udhëkryqin e Fushë-Kosovës na prej orës 10:00 kemi dalë me shku në Prishtinë por nuk na kanë lënë, kanë ardhë paramilitarët serbë, kanë qenë të armatosur. Aty u kon një barnatore, në udhëkryq me fytyrë nga barnatorja serbët na kanë qitë automatat prapa në shpinë, për të mos e kthyer kokën”, tregoi dëshmitarja.

Ajo deklaroi se nga të tjerët dëgjoi se pjesë e paramilitarëve serbë ishte edhe i akuzuari Skender Bislimi.

“Në ato momente kemi dëgjuar që dikush ka thënë se Ivan Radovojeviq serbi është aty dhe dikush- dikush aty ka thënë se ishte edhe Skender Bislimi”, deklaroi më tutje ajo.

Dëshmitarja tha se janë mbajtur peng për afër një orë, ku më pas xhaxhain e saj, Haki Bajrami, e kanë marrë, e më pas ia kanë marrë në veturë edhe të vëllain, Bujar Bajramin, të cilin tregoi se e kanë lëshuar më pas.

Pas kësaj ngjarje, e njëjta deklaroi se turma është lëshuar nga paramilitarët serb për t’ u kthyer në shtëpi.

Dëshmitarja deklaroi se të akuzuarin Bislimi e ka fqinj dhe të njëjtin e njeh që nga klasa e parë kur ka shkuar në shkollë.

Prokuroria e EULEX-it pretendon se Bislimi së bashku me dhjetë persona të tjerë ngritën një pikë kontrolli në udhëkryqin e Fushë-Kosovës, ku maltretuan shqiptarët të cilët ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre tri ditë pasi NATO nisi fushatën e bombardimeve.

Prokurori pretendon se ka prova të mjaftueshme se Bislimi ishte së bashku me paramilitarët e tjerë kur u arrestuan Bujar e Haki Bajrami.

Sipas prokurorit, Bujar Bajrami kishte pasur fat pasi ishte njohur nga shoferi i automjetit – një fqinj i tij serb dhe ishte lënë i lirë. Fatin e njëjtë nuk e kishte Haki Bajrami, trupi i të cilit u gjet në një varrezë masive në Dragodan pas luftës.

Skender Bislimi, ish-pjesëtar i dyshuar i forcave paraushtarake të akuzuara për krime lufte gjatë dëbimit të banorëve të Fushë-Kosovës është deklaruar i pafajshëm për pretendimet se ai ka gisht në vrasjen e shqiptarëve dhe keqtrajtimin e tyre.

Skender Bislimi është ekstraduar në Kosovë nga Mali i Zi para disa muajsh.

Për krimet në Fushë-Kosovë për të cilat akuzohet Bislimi deri më tani gjykata ka dënuar një person, Ivan Radivojeviq, me 8 vjet burgim për këto ngjarje.

Sipas Prokurorisë, i dyshuari në bashkëkryerje me tani të gjykuarin Ivan Radivojeviq, kanë qenë pjesëtarë të një grupi paraushtarak serb, i cili në datën 26 mars të vitit 1999 te Stacioni i Autobusëve në Fushë-Kosovë kanë rrethuar civilët shqiptarë, kanë ndarë gratë dhe fëmijët nga burrat dhe kanë filluar t’i rrahin e torturojnë burrat.

Gjithnjë sipas pretendimeve të Prokurorisë, disa prej burrave me forcë janë detyruar të hipin në një automjet ushtarak dhe pastaj janë dërguar në drejtim të panjohur.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar nga ky proces gjyqësor.