Të akuzuarit Zoran Vukotiq i hiqen prangat në sallën e gjyqit - Foto: KALLXO.com

Dëshmitari i Thotë Vukotiqit ‘Ti Ke Qenë Çetniku më i Madh’

Sabit Kadriu, dëshmitari i fundit në gjykimin e Zoran Vukotiqit për vrasjen e katër shqiptarëve tregoi se çfarë ndodhi në ditën e 5 majit 1999 në Vushtrri.

Kadriu pas përfundimit të luftës kishte punuar në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut për të zbuluar krimet që kanë ndodhur në Vushtrri gjatë vitit 1999.

Ndërsa në seancë ai tregoi informacionet që kishte marrë lidhur me vrasjen e katër civilëve shqiptarë në Vushtrri.

Pas pyetjes se prokurorit Paul Flynn dëshmitari tregoi se kishte shkuar në shtëpinë e të vrarëve dhe kishte takuar gruan e njërit prej të vrarëve e cila i kishte rrëfyer atë çfarë kishte ndodhur ditën e vrasjes.

“Kam shkuar në shtëpinë e tyre dhe jam interesuar për rastin çka ka ndodhur pastaj kam angazhuar një ekip që të punoj lidhur me rastin. Kam takuar edhe një grua emri i së cilës nuk më kujtohet por e di që ka qenë gruaja e njërit prej të vrarëve “, tregoi dëshmitari.

Tutje dëshmitari tregoi për rrëfimin të cilin e kishte dëgjuar nga gruaja që përmendi.

“Ajo zonja rrëfente duke qarë se si këta vrasësit që ajo aludonte në Zoran Vukotiq dhe Goroljub Paunoviq tregonte se si i kanë ulur me rend në kolltuk dhe i kanë vrarë një nga një, në ndërkohë ky Enver Rrustolli që paska qenë në fqinjësi me këta e ka ndi zhurmën edhe është ofruar për të ju ndihmuar me para kinse më i shpetu ata nga vrasësit, mirëpo edhe atë e kishin ulur dhe vrarë”, tha Kadriu.

Ai vazhdoi të tregojë dëshminë e gruas.

“Ajo thoshte se pasi i vranë këta të katër njeri prej tyre ka pasur dorëza në duar dhe meqë i kanë vrarë nga afër ka pasur gjak në duar dhe e kishte detyruar këtë zonjën që t’ia lëpinte gjakun në duart e tij “, rrëfeu dëshmitari.

Më pas dëshmitari tregoi se kishte ngarkuar një ekip që ishte marrë me rastin, i cili e kishte bërë skicën dhe i kishte nxjerrë nga kolltukët predhat të cilat mandej i kishin marrë UNMIK-u, për të cilat dëshmitari tha se më nuk ishin kthyer.

Dëshmitari tregoi se të akuzuarin Zoran Vukotiq e kishte njohur edhe para luftës dhe e kishte parë në uniformë të policisë, por edhe me herët kur kishte punuar në gjykatën komunale.

Po ashtu dëshmitari u pyet nga prokurori Flynn në lidhje me Goroljub Paunoviq i cili përmendet në aktakuzë si njeriu që i kishte qëndruar gjithmonë në krah dhe kishte ndihmuar Zoran Vukotiqin për të kryer këto krime.

“Ai ( Goroljub Paunoviq ) kishte punuar në postën e qytetit si administrator, ne kemi gjetë një material origjinal që dëshmonte se ai ka shërbyer dhe ishte ushtruar nga një njësit izraelit i komandove, por unë pastaj u pata larguar nga detyra. Ka qenë një fletë e gjysmë me informacione lidhur me këtë është marrë pastaj ekipi tjetër “, tha dëshmitari.

Ai po ashtu tregoi se kishin vizituar shtëpinë e Goroljub Paunoviq dhe në të kishin gjetur disa thika, paruke për flokë dhe një helmetë të ushtrisë – armatës jugosllave, po ashtu edhe disa karikatorë pa plumba për të cilat tha t’i kenë ambalazhuar, të cilat pastaj i kishte marrë policia e UNMIKU—ut.

“Kemi menduar që do të bëjnë diçka me to por nuk kanë bërë dhe më vjen keq që ua kam dhënë“, u shpreh dëshmitari.

Pasi dëshmitari u pyet nga prokurori nëse kishte informacione tjera lidhur me veprimet qe i kishte ndërmarrë Zoran Vukotiq ditën e 5 majit 1999, dëshmitari filloi të tregonte se si Zoran Vukotiqi dhe Goroljub Paunoviq atë ditë kishin dhunuar një vajzë, por rrëfimi u ndërpre nga kryetari i trupit gjykues Darius Sielicki i cili tha se “Nuk mund të lejoj tregimin e kësaj ngjarjeje për arsye se mund të dalim jashtë kornizave të aktakuzës “.

Në seancë pyetje bëri edhe vetë i akuzuari Zoran Vukotiq i cili e pyeti dëshmitarin duke iu referuar një dosjeje të përpunuar nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut “ Kush janë çetnikët e përmendur në dosje/skicë?“, ishte pyetja.

Ndërsa dëshmitari Kadriu u përgjigj “ Ti ke qenë çetniku më i madh ke pasur edhe komandant por ti ke qenë më i madhi “.

Ndryshe Zoran Vukotiq akuzohet për krime gjatë luftës në Kosovë .

Sipas aktakuzës, Zoran Vukotiq, gjatë kohës së konfliktit të armatosur në Kosovë, më 5 maj 1999, në Vushtrri, në rrugën “Emin Duraku”, në bashkëkryerje me të akuzuarin Goroljub Paunoviq, në cilësinë e rezervistit të policisë serbe, të veshur me uniforma të policisë dhe ushtrisë serbe dhe të armatosur me thika, pistoleta dhe pushkë automatike, kanë rrahur dhe plaçkitur persona të ndryshëm civilë të nacionalitetit shqiptar nëpër oborre dhe shtëpitë e lagjes.

Më tej, aktakuza përshkruan se me dashje ka rrahur e pastaj edhe ka vrarë katër persona civilë shqiptarë të identifikuar si: Enver Rustolli, Hamdi Fazliu, Avdulla Fazliu dhe Fahredin Fazliu, në shtëpinë e familjes Fazliu.

Prokuroria pretendon se fillimisht të njëjtit e kanë ndalur Fahredin Fazliun e më pas e kanë dërguar në oborrin e shtëpisë së Hamdi Fazliut.

Në hyrje të shtëpisë ndodheshin Sanije Zhushi- Fazliu dhe kunata e saj Fikrije Fejzullahu. Të akuzuarit më pas kanë filluar ta rrahnin Fahredin Fazliun së bashku me dy gratë e lartcekura duke iu kërkuar të holla.

Në ndërkohë, gjithnjë sipas aktakuzës, njëri nga të akuzuarit kishte dalur jashtë shtëpisë dhe pas pak ka hyrë përsëri në shtëpi së bashku me Fahredin Avdulla – Fazliun, të cilin e kishte sjellë me dhunë.

Pas këtyre veprimeve, babai i Fahredin Fazliut, Hamdiu, së bashku me fqinjin Enver Rustolli, pasi kishin dëgjuar se çfarë po ndodhte, me qëllim që t’i shpëtojnë, kanë hyrë në shtëpi për t’u ofruar të holla të akuzuarve.

Por, të akuzuarit vazhduan t’i rrihnin ata, ku në sy të grave të lartcekura edhe i vranë.

Vukotiq së bashku me personin tjetër, pas këtij veprimi u larguan nga vendi i krimit.

Pika e dytë e aktakuzës ngarkon Vukotiqin se ka vepruar në mënyrë çnjerëzore ndaj civilëve të nacionalitetit shqiptar, me dashje ka cenuar integritetin trupor, shëndetin, mirëqenien fizike dhe mendore të 17 të dëmtuarve dhe dëshmitarëve, duke i torturuar dhe shkaktuar lëndime të rënda fizike dhe psikike, pasoja të cilat të dëmtuarit i bartin ende.

Vukotiq ngarkohet edhe se me dashje dhe dhunshëm ka plaçkitur të holla në shuma të ndryshme, flori dhe gjëra tjera të çmueshme nga civilët e nacionalitetit shqiptar, konkretisht nga 8 të dëmtuar dhe njëkohësisht dëshmitarë.

Në lidhje me këto akuza Vukotiq është deklaruar i pafajshëm në gusht të vitit që shkoi.