Nga gjykimi i Skender Bislimit. Foto: Kallxo.com

Dëshmitari Rrëfen si u Rrahën e u Detyruan të Këndojnë 'Këngë Çetnike'

Në gjykimin për krime lufte ndaj Skender Bislimit, i akuzuar për vrasjen e civilëve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë, u dëgjuan dy dëshmitarë okularë, njëherit edhe të dëmtuar në këtë proces.

Dëshmitarët kyç të cilët u dëgjuan sot në gjykatore, rrëfyen për tmerrin që përjetuan më 26 mars të vitit 1999 nga forcat paramilitare serbe, e madje edhe nga vet fqinjët e tyre të komunitetit rom.

Derisa Fushë Kosova ishte në flakë, familja Bajrami po tentonin të gjenin rrugën e tyre për në Prishtinë.

Me të arritur tek stacioni i Fushë Kosovës, rrugëtimi i tyre për në Prishtinë u bë mision i paarritshëm.

Ata u nxorën nga autobusët, burrat u rrahën, malltretuan e u vranë, për t’u gjetur një vit më pas në varrezat masive në Dragodan, e gratë u kthyen në shtëpitë e tyre të bëra shkrumb e hi.

Skënder Bislimi, një pjesëtar i komunitetit rom nga Fushë Kosova, i akuzuar në këtë proces pretendohet se mori pjesë në rrahjen e vrasjen e shqiptarëve në atë ditë, po në atë vend, madje edhe kontribuoi në të.

Në seancat e mëhershme, Bislimi nuk e ka pranuar fajësinë në veprat për të cilat akuzohet.

Ai sot u përball në gjykatore më Hasmie Bajramin e Faton Bajramin, ish- fqinjët e tij, të dëmtuar në këtë proces gjyqësor.

Siç e përshkruan Hasmia, shtëpinë e saj e të akuzuarit nuk e ndante as rrethoja, madje ajo tha se vjehrri i saj i ka dhënë “bylmet” atij. “Na njeh shumë mirë ky”, shtoi ajo në gjykatore me ironi.

“Kemi shkuar te stacioni për të ikë pasi që ishim të rrezikuar nga serbët e romët. Taman kemi dashtë me hypë në autobus, ky (Skender Bislimi) dhe dy të tjerë kanë vrapuar dhe i kanë bllokuar dyert e autobusit, nuk na kanë lënë me hy. Bashkëshorti e ka pasë vajzën 8 muajshe në dorë dhe shumë mirë më kujtohet ky Skender Bislimi i ka thënë ‘lësho vajzën në tokë’. Ai e ka lëshu vajzën, unë kam shku e kam kapë. Skenderi më ka shtyrë me pushkën e tij. Burrat i kanë malltretu, i kanë rrahë e i kanë shti me këndu këngë çetnike, të Milloshit (Slobodan Milosheviqit)”, rrëfen ajo me emocione.

Hasmia humbi bashkëshortin e saj në atë ditë. Ai kishte punuar si arsimtar i gjuhës shqipe.

Siç e përshkruan ajo, paramilitarët serbë e kishin futur në veturë për të mos e kthyer më.

“I kanë hypur në një xhip ‘Niva’. Më nuk e di se në çfarë drejtimi kanë shkuar, e din ky krimineli”, vazhdoi ajo duke aluduar në Skender Bislimin i cili gjendej në krahun e saj të djathtë në bankën e të akuzuarit.

Përkundër Haki Bajramit që nuk u kthye më, dëshmitari tjetër Faton Bajrami i cili e kishte axhë këtë të fundit, nuk u shpëtoi torturave, por i shpëtoi vdekjes.

“Pasi që na rrahën, erdhën disa xhipa dhe na marrin për krah për të na futur në ato vetura. Pasi e vendosi këmbën e djathtë për t’u futur në xhip, qëllon një fqinj serb i cili më ka njohur se si i ri kam luajtur biliardo. Më shef mua në pasqyrë, unë serbishten nuk e njoh mirë por pak a shumë e kuptoj dhe i thotë atij paramilitarit që më kishte në krah të djathtë ‘këtë të voglin me jakne të zezë lëshojeni’. Pasi që më ka kthyer mua e ka shti axhën tim Haki Bajramin dhe pas lufte e kemi gjetë në varrezë masive në Dragodan”, deklaroi ai.

E lajmin për planifikimin e largimit të qytetarëve për në Prishtinë, Bujari është i bindur se Skender Bislimi i dërgoi te veshët e paramilitarëve serbë.

“Unë jam i bindur që Skender Bislimi i ka paralajmëruar që ne ishim duke ikur nga Fushë Kosova. Në atë kohë isha 17 vjeç. Aty na kanë rreshtuar na kanë qitë në gjunj dhe kanë filluar rrahjet, keqtrajtimet në formën më mizore. Mua më kanë rrahë me një shkop të një plakut deri sa është thyer”, vazhdon Bujari.

Madje ai deklaroi se gjatë kohës sa i ishin nënshtruar rrahjes, civilët e tjerë përreth të komunitetit serb e rom duartrokitnin, madje “paramilitarët serbë i ftuan ata të na rrahnin pasi vet ishin lodhë duke na rrahë”.

Paraprakisht, dëshmitari tha disa familje nga komuniteti rom janë furnizuar me armë me qëllim të mbytjes së shqiptarëve. Sipas tij, furnizimi i tyre me armatim ka filluar në kohën kur nisën edhe bombardimet e NATO-s.

Në seancën e radhës të caktuar për muajin mars do të ftohen edhe tre dëshmitarë të asaj dite.

Prokuroria e EULEX-it pretendon se Bislimi së bashku me dhjetë persona të tjerë ngritën një pikë kontrolli në udhëkryqin e Fushë-Kosovës, ku maltretuan shqiptarët të cilët ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre tri ditë pasi NATO nisi fushatën e bombardimeve.

Prokurori pretendon se ka prova të mjaftueshme se Bislimi ishte së bashku me paramilitarët e tjerë kur u arrestuan Bujar e Haki Bajrami.

Sipas prokurorit, Bujar Bajrami kishte pasur fat pasi ishte njohur nga shoferi i automjetit – një fqinj i tij serb dhe ishte lënë i lirë. Fatin e njëjtë nuk e kishte Haki Bajrami, trupi i të cilit u gjet në një varrezë masive në Dragodan pas luftës.

Skender Bislimi, ish-pjesëtar i dyshuar i forcave paraushtarake të akuzuara për krime lufte gjatë dëbimit të banorëve të Fushë-Kosovës është deklaruar i pafajshëm për pretendimet se ai ka gisht në vrasjen e shqiptarëve dhe keqtrajtimin e tyre.

Skender Bislimi është ekstraduar në Kosovë nga Mali i Zi para disa muajsh.

Për krimet në Fushë-Kosovë për të cilat akuzohet Bislimi deri më tani gjykata ka dënuar një person, Ivan Radivojeviq, me 8 vjet burgim për këto ngjarje.

Sipas Prokurorisë, i dyshuari në bashkëkryerje me tani të gjykuarin Ivan Radivojeviq, kanë qenë pjesëtarë të një grupi paraushtarak serb, i cili në datën 26 mars të vitit 1999 te Stacioni i Autobusëve në Fushë-Kosovë kanë rrethuar civilët shqiptarë, kanë ndarë gratë dhe fëmijët nga burrat dhe kanë filluar t’i rrahin e torturojnë burrat.

Gjithnjë sipas pretendimeve të Prokurorisë, disa prej burrave me forcë janë detyruar të hipin në një automjet ushtarak dhe pastaj janë dërguar në drejtim të panjohur.