I akuzuari Zoran Vukotiq në sallën e gjykimit (06.02.2018) - Foto: KALLXO.com

Dëshmitari Qan Teksa Kujton Vrasjen e të Afërmve nga i Akuzuari

Dëshmitari i propozuar nga Prokuroria, Bedri Fazliu, ka dëshmuar sot në gjykimin e Zoran Vukotiqit, i akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile.

Fazliu rrëfeu për përjetimet e tij dhe të të afërmve më 5 maj 1999.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, dëshmitari tregoi se atë ditë ishte në shtëpinë e axhës së tij.

“Unë atë ditë isha në shtëpinë e axhës, duke ia prerë atij flokët. Kur i kam kry e kam ndi një zhurmë mbrapa shtëpisë. Ka ardh shoqja dhe më ka thanë se po i rrehin në atë shtëpi disa njerëz dhe pas kësaj unë kam shkuar prej shtëpisë së axhës në shtëpinë time dhe jam zgjatë mbi mur duke u mundu me shiku çka po ndodhë aty “, tha dëshmitari.

Më pas, Bedri Fazliu tha se aty kishte parë dy persona: tani të pandehurin Zoran Vukotiq si dhe një tjetër të quajtur Gorolub Paunoviq.

“Goroljub Paunoviq mbante një thikë në njërën dorë kurse në dorën tjetër një pistoletë. Ai kishte shkuar në drejtim të një gruaje të re, e cila mbante një fëmijë në dorë duke tentuar t’ia merrte nga dora dhe në momentin kur gruaja kishte kundërshtuar që t’ia jap fëmijën ai kishte filluar t’i godasë me kondak të armës atë dhe dy gra të tjera të cilat kishin qenë më të”, shpjegoi dëshmitari.

Duke iu referuar një skice të prezantuar në Gjykatë, dëshmitari gjithashtu tregoi se prej shtëpisë së axhës kishte dalë për të shkuar në shtëpinë e Rasim Hajrizit, ku kishin qenë duke qëndruar babai dhe vëllezërit e tij.

Ai tregoi se kishte shkuar për t’i lajmëruar Hamdi, Avdullah dhe Fahredin Fazliun si dhe Enver Rrustollin, të cilët kishin qenë duke qëndruar në një pllakë betoni, për ngjarjen që e kishte parë lidhur më ato gratë dhe fëmijën.

Tutje dëshmitari tregoi se si Zoran Vukotiq kishte qëndruar afër një shtylle elektrike te shtëpia e Ahmet Sahitit me pushkë në dorë dhe brenda në shtëpi të tij kishte qëndruar edhe Gorolub Paunoviq, të cilin nuk e kishte parë por për këtë kishte mësuar më vonë. Kurse nga shtëpia e Adem Dergutit kishte parë se në shtëpinë e Izet Morinës kishte hyrë Gorolub Paunoviq dhe Zoran Vukotiq, të cilët i kishin rrahur gratë dhe me dhunë ua kishin marr arin. Gjithashtu ata kishin rrahur edhe një djalë të ri 15 vjeçar.

Dëshmitari shpjegoi se si e kishte parë Zoran Vukotiqin kur e kishte marrë nga shtepia e Adem Dergutit vëllain e tij dhe e kishte dërguar në shtëpinë e tij.

Tutje ai tregoi se si kishte ndodh ngjarja pasi që i pandehuri Vukotiq dhe Gorolub Punoviq e kishin dërguar vëllain e tij në shtëpi.

“Në shtëpinë time e kam parë Zoran Vukotiqin duke e mbajt vëllain, ndërsa Gorolubi ka shkuar në shtëpinë e axhës, e ka marrë edhe axhën dhe e ka sjellë në shtëpinë time, kurse në shtëpinë përballë ka qenë edhe Enver Rrustolli dhe Hamdi Fazliu”, tha dëshmitari.

Më pas dëshmitari rrëfeu si ishin vrarë Enver Rrustolli dhe Hamdi, Fahredin dhe Avdulla Fazliu.

“Enveri ka thanë me shku me i pshtu se ata nuk kanë pare e i vrajnë. Janë hy brenda Hamdia dhe Enveri, brenda ka qenë Zorani me axhën dhe me Fahredinin. Pasi që kanë hi këta brenda nuk ka zgjatë shumë janë dëgju armët kur kanë kërsitë“, tha dëshmitari.

Më pas dëshmitari shpjegoi se ai kishte qenë prapa grilave të një rrushi kur i pandehuri Vukotiq dhe personi tjetër i quajtur Gorolub Paunoviq kishin dalë nga shtëpia e tij dhe dëshmitari kishte ikur dhe kishte shkuar te shtëpia e Adem Gergurit, ku më pas gruaja e tij kishte shkuar dhe i kishte treguar se i kishin vrarë Hamdi, Fahredin e Avdulla Fazliun si dhe Enver Rrustollin.

Pas pyetjes se prokurorit Elez Blakaj se çfarë kishte bërë ai pasi që e kishte njoftuar bashkëshortja për vrasjen, ai tregoi se kishte shkuar në shtëpi dhe i kishte parë kufomat.

“Unë kam shku në shtëpi. Kur kam hi e kam pa axhën i cili ishte në korridor dhe ishte ende gjallë, ndërsa brenda kanë qenë të vrarë Hamdia, Enveri dhe Fahredini”, tha dëshmitari.

Bedri Fazliu tregoi se të gjithë të lartcekurit ishin vrarë në prezencën e gruas së tij dhe të vëllait të tij, ndërsa derisa përshkruante mënyrën se si ishin qëlluar secili nga të vrarit dëshmitari nuk arriti t’i kontrollojë emocionet dhe filloi të qante në seancë.

Sipas asaj se çfarë i kishte treguar gruaja e tij, e cila kishte qenë prezent në momentin e vrasjes, Zoran Vukotiq dhe Gorolub Paunoviq  e kishin pyetur njëri-tjetrin se çfarë do të bëjnë më pas, ndërsa Zorani i ishte përgjigjur kolegut të tij se po i vrasin, duke i qëlluar më pas të ndjerit.

Në bazë të deklarateës së dëshmitarit, i pari që ishte vrarë kishte qenë Enver Rrustolli ndërsa pas tij Hamdi Fazliu. Ndërsa Vukotiq kishte nxjerrë pistoletën duke e qëlluar axhën e tij Avdulla Fazliun dhe më pas Gorolub Paunoviq ishte kthyer dhe e kishte qëlluar vëllain e tij Fahredin Fazliun në kokë.

Gjithashtu, në seancë dëshmitari tregoi se kufomat ishin varrosur nga një kompani e disa romëve dhe se askush nga familja e tyre nuk kishte guxuar të shkojë për t’i varrosur.

Në pyetjen e prokurorit Blakaj se pse emrat e të ndjerëve në disa dokumentacione kanë qenë me mbiemër Shallci kurse ai deklarohej se ishte Fazliu, dëshmitari shpjegoi se rrobat e të vdekurve kur ishin varrosur nga romët iu ishin ndërruar në mes tyre, ndërsa ata kishin qenë nga fshati Shallc për atë.

“Ditën kur i kanë marr romit i kanë varros edhe rrobat në trup të xhenazeve ua kanë ndërru. Ata kur i kanë varros me mbiemrin Shallci, ndërsa gjatë rivarrimit pantollat e babës i ka pas vëllai veshun ndërsa pantollat e vëllait baba, kurse romët ua kanë shkru Shallci“, shpjegoi dëshmitari.

Kurse në pyetjen e mbrojtësit të viktimave Burhan Maxhuni se a e kishte pasur të vështirë që ta identifikonte në seancë Zoran Vukotiqin dëshmitari deklaroi se e kishte njohur edhe pse tash ai ishte më i dobët se atëherëë dhe flokët i ka më të shkurta por kryesisht ishte i njëjti.

http://kallxo.com/lexohet-aktakuza-vukotiq-deklarohet-i-pafajshem/

Ndryshe Prokuroria Speciale e Kosovës e akuzon Zoran Vukotiqin se gjatë kohës së konfliktit të armatosur në Kosovë, më 5 maj 1999, në Vushtrri, në rrugën “Emin Duraku”, në bashkëkryerje me të akuzuarin Gorolub Paunoviq, në cilësinë e rezervistit të Policisë serbe, të veshur me uniforma të Policisë dhe Ushtrisë serbe dhe të armatosur me thika, pistoleta dhe pushkë automatike, kanë rrahur dhe plaçkitur persona të ndryshëm civilë të nacionalitetit shqiptar nëpër oborre dhe shtëpitë e lagjes.

Më tej, aktakuza përshkruan se me dashje ka rrahur e pastaj edhe ka vrarë katër persona civilë shqiptarë të identifikuar si: Enver Rustolli, Hamdi Fazliu, Avdulla Fazliu dhe Fahredin Fazliu, në shtëpinë e familjes Fazliu.

Prokuroria pretendon se fillimisht të njëjtit e kanë ndalur Fahredin Fazliun e më pas e kanë dërguar në oborrin e shtëpisë së Hamdi Fazliut.

Në hyrje të shtëpisë ndodheshin Sanije Zhushi- Fazliu dhe kunata e saj Fikrije Fejzullahu. Të akuzuarit më pas kanë filluar ta rrihnin Fahredin Fazliun së bashku me dy gratë e lartcekura duke iu kërkuar të holla.

Në ndërkohë, gjithnjë sipas aktakuzës, njëri nga të akuzuarit kishte dalë jashtë shtëpisë dhe pas pak ka hyrë përsëri në shtëpi së bashku me Fahredin, Avdulla Fazliun, të cilin e kishte sjellë me dhunë.

Pas këtyre veprimeve, babai i Fahredin Fazliut, Hamdiu, së bashku me fqinjin Enver Rustolli, pasi kishin dëgjuar se çfarë po ndodhte, me qëllim që t’i shpëtojnë, kanë hyrë në shtëpi për t’u ofruar të holla të akuzuarve.

Por, të akuzuarit vazhduan t’i rrihnin ata, ku në sy të grave të lartcekura edhe i vranë.

Vukotiq së bashku me personin tjetër, pas këtij veprimi u larguan nga vendi i krimit.