Dëshmitari: Paguam më Shumë Libra Sesa Morëm

Hasani së bashku me Albert Rakipin dhe Hakif Veliun po akuzohen për mashtrim në detyrë  lidhur me kontratën për përkthimin e librave nga gjuha angleze në gjuhën shqipe për nevojat e UP-së.

Profesori i  mikrobiologjisë në Universitetin e Prishtinës Bajram Berisha tha kishte qenë kryetar i komisionit të formuar nga UP-ja lidhur me botimin e këtyre teksteve. Ai tha se detyra e komisionit ishte të shqyrtonin materialin e pranuar dhe të kujdeseshin për botimin e tij.

“Komisioni e ka shqyrtuar çështjen, e ka marrë dokumentacionin nga personi përgjegjës Hakif Veliu dhe ka punuar nja dy javë rresht për të konstatuar gjendjen. Pas analizës është konstatuar se në emër të kësaj kontrate kompanisë i kishin pas paguar 87 mijë euro,” tha Berisha.

Berisha tha se në dokumentacion kishin qenë 10 ose 11 tituj të teksteve të cilat pritnin për t’u botuar, por pasi që ishte bërë analiza e shpenzimeve,  komisioni kishte vërejtur një të dhënë tjetër befasuese.

“Kemi konstatuar se puna e kryer në këto përkthime ka qenë rreth 35 mijë euro. Pastaj i kam shkruar një e-mail kompanisë së përkthimeve nuk e di si quhen dhe kam kërkuar nga ata që të japin leje që ne këto 10 tekste t’i botojmë, publikojmë pasi që kjo pjesa e fundit ka qenë obligim i joni,” tha Berisha.

Berisha tha se pasi që komisioni kishte gjetur këtë të dhënë, i kishte shkruar një e-mail kompanisë e cila ishte marrë me përkthimin.

“Ju  kam shkruar e-mail për llogaritjen që kemi bërë ne dhe kam kërkuar që në emër të komisionit që kompania të vazhdojë me përkthimin e teksteve tjera, meqenëse kishte marrë më shumë mjete materiale se që kishte bërë punë deri atëherë, bazuar gjithmonë në kontratën që ne kishim në dispozicion,“ tha Berisha.

Berisha tha se përmes këtij e-maili, kompanisë e cila kishte bërë përkthimin e librave, i ishin kontestuar aftësitë e tij llogaritëse.

“Pas disa ditësh kam marrë një e-mail nga kompania në të cilin ata shkruan se unë kisha mungesa të mëdha në llogaritjen matematikore dhe se ata kishin bërë punë shumë më tepër sesa kishim shkruar ne’” tha Berisha.

Berisha tha se në këtë e-mail, përpos përgjigjes, kishte pranuar të bashkangjitur edhe një faqe të një kontrate, ku shkruante si se do të bëhej mënyra e llogaritjes se përkthimeve.

“Me këtë e-mail më kanë  dërguar edhe një faqe nga kontrata  ku shkruante se mënyra e llogaritjes bëhet me karaktere dhe jo me fjalë siç e kishim ne në kontratën tonë,” tha Berisha.

Berisha tha se pas kësaj e kishte kontaktuar të akuzuarin, Hakif Veliu, i cili kishte qenë shef i Prokurimit në UP.

“Veliu tha se nuk e dinte për ekzistencën e kësaj kontrate”, tha Berisha.

Berisha tha se komisioni kishte bërë krahasimin e kontratës që ju ishte dërguar nga e-maili i Institutit ISN dhe kontratës që e kishte në dispozicion UP dhe dallimi mes këtyre dy kontratave ishte shumë i vogël.

“Kontratat kishin dallim vetëm në mënyrën e llogaritjes së pagesës. Në kontratën tonë  llogaritja e përkthimit bëhej përmes të fjalëve, ndërkaq në kontratën e kompanisë ishte zëvendësuar fjala ‘fjalë’ me ‘karaktere,’” tha Berisha.

Berisha tha se kishin negociuar me kompaninë që kishte përkthyer përkthimet, por nuk kishin arritur që të arrinin një marrëveshje lidhur me mënyrën e pagesës.

Dëshmitari Berisha i pyetur nga avokati i Enver Hasanit nëse kishte dëgjuar ndonjëherë emrin e Enver Hasanit të përmendej gjatë diskutimeve lidhur me këtë kontratë, u përgjigj shkurt me ‘Jo”.

para Berishës dëshmoi edhe profesoresha e gjuhës angleze Lindita Tahiri.

Dëshmitar në këtë proces, ishte paraparë të ishte edhe rektori aktual, pro-rektori në kohën e nënshkrimit të kësaj kontrate, Marjan Dema, por ai në seancën e sotme nuk ishte i pranishëm për shkak të angazhimeve të tij, ndërsa me propozim të avokatit Tmava, u vendos që deklarata e tij e dhënë në prokurori të konsiderohet e lexuar dhe që ai të mos dëshmojë.

Seanca e radhës është caktuar më 3 maj.