Dëshmi: Pacientja pagoi dy iu vendos vetëm një stentë

Në gjykimin ndaj 43 mjekëve në rastin e njohur si “Stenta 2”, gjatë seancës së sotme dëshmi kanë dhënë dëshmitarët Islam Fetahu dhe Enver Pacolli.

Dëshmitari Islam Fetahu para trupit gjykues ka rrëfyer se në nëntor të vitit 2012 bashkëshorten e kishte  të sëmurë dhe e kishte dërguar në spitalin publik, e cila më pas ishte pranuar në QKUK nga i akuzuari – doktori Daut Gorani.

Më pas ai tregoi se doktori Gorani i kishte thënë se gruaja e tij ka probleme me zemrën dhe ai lloj intervenimi nuk bëhet në QKUK por duhet të dërgohet në spital privat.

“Doktori më tha se dy anët është e mbyllur dhe këtu s’kemi mundësi me intervenu për sa i përket zemrës, se duhet me dërgu në spitalin privat”, shtoi dëshmitari.

Tutje dëshmitari tregoi se e kishte pyetur doktorin Gorani për çmimin e intervenimit dhe i njëjti i kishte thënë se afro 2.500 euro kushton.

Dëshmitari tha se doktorit i kishte thënë se nuk ka mundësi ta dërgojë në spital privat. Më pas, doktori Gorani, sipas dëshmitarit, kishte thënë se “vetëm minutat janë në pyetje”.

Më pas ai tregoi se kishin vendosur ta dërgojnë  gruan e tij në spitalin privat IMH, për vendosjen e stentës me ç‘rast sipas tij doktori Artan Beqiri kishte qenë kujdestar në spitalin turk dhe e kishte futur menjëherë në sallën e operimit ku edhe ishte bërë vendosja e stentës.

Dëshmitari tha se në spitalin privat kishte paguar gjithsej 6 mijë euro. Për stentën e parë  kishte paguar 4 mijë euro ndërsa për të dytin 2 mijë euro.

“Operimi ka zgjatur diku 37 minuta dhe pas operimit ka dalë mjeku na ka thënë: kushton 4 mijë euro. Pastaj na ka thënë se ka nevojë me vendos edhe një tjetër stentë e ajo kushton 2 mijë euro. Unë i thash meqenëse u hi në operim nëse ka nevojë le t’i vendosin edhe 12 stenta”, tregoi dëshmitari Fetahu.

Kurse më pas ai tha se në spitalin privat i ishte vendosur vetëm një stentë.

“Mbas tri viteve gruaja ka  pasur prapë probleme me zemër dhe kur e kam dërguar në QKUK për një intervenim të dytë, doktori Agim Krasniqi na ka thënë se vetëm një stentë e ka të vendosur”, tha ai.

Tutje ai shpjegoi se gruas së tij stenta e dytë i ishte vendosur në vitin 2015 në spitalin publik, dhe se nuk kishte paguar asnjë shumë për këtë intervenim.

Prokurorja speciale Florie Shamolli e pyeti dëshmitarin nëse kishte shkuar në spitalin turk për të biseduar për çështjen e mosvendosjes së stentës së dytë.

Dëshmitari tha se ka shkuar dhe se ata të spitalit i kanë dhënë një dokument ku thuhet:  “Pacientes Shukrije Fetahu i janë vendos dy stenta”.

Kurse sa i përket kompensimit dëshmitari tha se në Ministrinë e Shëndetësisë kishte bërë kërkesë ku dhe nga komisioni ishte aprovuar kërkesa e tij, mirëpo kur kishte dalë te bordi i drejtorëve, te Gani Shabani dhe Ferid Agani, e njëjta ishte refuzuar me arsyetimin se nuk ka të drejtë për kompensim.

“Kam shkuar te doktori Daut Gorani i kam thënë: Ma jep fletë-lëshimin me qëllim që t’i bashkëngjis për me i dërgu në Ministrinë e Shëndetësisë për me lyp kompensim. Fillimisht s’ka dashtë me ma dhënë fletë-lëshimin dhe i njëjti më ka thënë edhe po do me ta shëru gruan edhe po lyp pare”, shtoi dëshmitari.

Dëshmitari më pas tha se fletë-lëshimin e kishte pranuar më 14 maj ndërsa gruaja e tij ishte pranuar në spital publik në muajin shtator.

“Unë e di se bashkëshortja ime në muajin shtator 2012 është paraqitë për herë  të parë në QKUK dhe mua më është dashtë fletë-lëshimi dhe e di që Daut Gorani e ka lëshuar fletë-lëshimin, mirëpo e ka lëshuar për datën 14 maj 2012. Nuk e di pse e ka lëshuar në atë datë ma herët”, tha dëshmitari.

Në fund të dëshmisë së tij dëshmitari Fetahu tha se e ndjen veten të dëmtuar.

Edhe dëshmitari Enver Pacolli tregoi se bashkëshortja e tij ishte pranuar në spitalin publik dhe se mjekët i kishin thënë se e njëjta e ka një damar të mbyllur dhe se duhet t’i vendoset stentë.

Por ai tha se nuk i kujtohet cili doktor ia kishte thënë këto fjalë.

Më pas ai tha se gruan e kishte dërguar në spitalin privat dhe aty i ishte vendosur stenta, e cila kishte kushtuar 4 mijë euro, dhe për pagesën e stentës dëshmitari tregoi se kishte marrë kredi.

“Mjeku Artan Beqiri para se me fillu operimin më ka njoftuar që vendosja e stentës kushton 4 mijë euro, pas operimit më ka njoftuar se janë vendosur dy stenta, dhe po ashtu më ka thënë se për stentën e dytë nuk ka nevojë me pagu sepse “e ki prej shpie”. Kredi kam hi 4 mijë euro për me ia bo pagesën spitalit privat”, tha  dëshmitari.

Në seancën e sotme ishte paraparë të dëgjohen edhe dy dëshmitarë, mirëpo për shkaqe shëndetësore të të akuzuarës Perihane Pera seanca është ndërprerë.

E njëjta ne seancën e kaluar kishte bërë kërkesë për veçimin e procedurës mirëpo kryetarja e trupit gjykues Shadije Gërguri tha se nuk mund të veçohet procedura deri në sigurimin e raportit mjekësor.

https://kallxo.com/rasti-stenta-2-deshton-seanca-gjykatesja-e-zene-me-interviste-per-departamentin-special/?fbclid=IwAR1mU0eNd3TVaMCCYE87VxM1gd7xgGUOxX10ED7n0uH581vUPfNRXyOE964

Në këtë proces gjyqësor të akuzuar janë 42 mjekë dhe një infermier, Gani Bajraktari, Sami Gjoka, Faik Shatri, Hamza Selmani, Banush Gashi, Fisnik Hima, Kelmend Pallaska, Daut Gorani, Hajdin Qitaku, Agim Krasniqi, Ejup Pllana, Edmond Haliti, Afrim Poniku, Nehbi Musliu, Dardan Koqinaj, Avni Batalli, Xhevdet Krasniqi, Lezer Prekpalaj, Rexhep Manaj, Elfedin Muhaxheri, Nehat Rexhepaj, Nexhmi Zeqiri, Florim Sadiku, Lulzim Kamberi, Reshat Emra, Halim Haliti, Agron Leka, Agron Besimi, Galina Berisha, Bajram Mziu, Driton Miftari, Besnik Koliqi, Perihane Sefa, Masar Gashi, Mirdi Strana, Shemsedin Shabollari, Besim Guda, Bajram Preteni, Ismajl Avdimetaj, Petrit Ademaj, Aferdita Selmanaj, Salih Shala, Luan Pazhari.

Në këtë rast të akuzuar kanë qenë 45 persona por ndaj të akuzuarve Murat Abazi e Ferid Susuri gjatë seancave gjyqësore për shkaqe shëndetësore është veçuar procedura penale.

Në seancën fillestare gjithë të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm.

Në këtë rast, të përfshirë kishin qenë edhe ish-ministri i Shëndetësisë (MSH), Ferid Agani, ish-sekretari i MSH-së, Gani Shabani dhe 11 të akuzuar të tjerë, mirëpo, rasti ishte veçuar në tri pjesë në shqyrtimin fillestar.

Gjykimi ndaj ish-ministrit Agani dhe ish-sekretarit Shabani tashmë ka përfunduar në shkallë të parë. Agani është dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim ndërsa Shabani është dënuar 2 vjet burgim.

Kurse po vazhdon procesi gjyqësor në rastin “Stenta 3”, ku janë të përfshirë kryesisht, drejtorë e mjekë të spitaleve private.

Të akuzuarit në këtë rast “Stenta 2” nga Prokuroria Speciale ngarkohen për veprat penale të keqpërdorimit te pozitës dhe marrje të ryshfetit.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale pretendon për një rrjet abuziv të mjekëve.

Në rastin “Stenta” të akuzuar janë 44 mjekë dhe 1 infermier të punësuar në institucione publike shëndetësore dhe 13 punonjës ose ish-punonjës të sektorit privat shëndetësor.

Sipas aktakuzës, këta të pandehur duke vepruar në kundërshtim më Ligjin për Prokurimin Publik dhe Udhëzimet Administrative të Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe duke lejuar pagesat për trajtimin e pacientëve jashtë Institucioneve publike shëndetësore për periudhën 2011 -2015.

Sipas aktakuzës, këta dy të akuzuar i kanë mundësuar përfitim financiar spitalit privat “IMH” në shumë prej  4,050,958.00 euro dhe spitalit privat “EDA” në shumë prej 504,595.00 euro apo të dyja spitaleve në shumë të përgjithshme prej 4,555,553.00 euro, duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës.