Gjykimi për vrasjen e Ferdinand Gjinit | Foto: KALLXO.com

Dëshmitari i mbrojtur rrëfen për vrasjen me pagesë të Gjakovarit

Gjykata ka vendosur të mbyllet seanca për publikun në gjykimin ndaj të akuzuarve, Bekim Raja, Avni Sinani dhe Murat Sinani, rreth akuzës për vrasjen e Ferdinand Gjinit. Arsyeja e mbylljes për media dhe publikun e kësaj seance gjyqësore është për shkak se pritet të dëshmoj një dëshmitar i mbrojtur.

Ky gjykim është duke u zhvilluar në Gjykatën e Pejës por në mungesë të pajisjeve teknike, sot gjykimi është bartur në Gjykatën e Prishtinës.

Prokuroria e Pejës ka ngritur aktakuzë ndaj Bekim Rajës, Murat Sinanit dhe Avni Sinanit për shkak se më muajin maj të vitit 2012, në Zvicër, i pandehuri Bekim Raja me qëllim të hakmarrjes së paskrupullt e ka porositur të pandehurin Xhon Pnishi, që ky i fundit së bashku me të pandehurit Avni dhe Murat Sinanaj të kryejnë vrasjen e viktimës Ferdinand Gjini, duke premtuar dhe dhënë shpërblim prej 100,000.00 frangave zvicerane.

Sipas aktakuzës, më 23.06.2014, në Prapaqan të Deçanit, të pandehurit Gjon Pnishi, Avni dhe Murat Sinanaj, duke vepruar sipas marrëveshjes paraprake, në mënyrë dinake dhe me qëllim që të sjellin dobi pasurore për vete e kanë shfrytëzuar krizën financiare të viktimës dhe e kanë mashtruar të njëjtin me substance narkotike, në atë mënyrë që viktima niset me veturë nga Gjakova për në Deçan, e i përcjellë nga i pandehuri Gjon Pnishi, për të shkuar dhe për të marrë një sasi të substancave narkotike, ashtu siç i kishte premtuar i pandehuri Avni, me ç‘rast i pandehuri Gjon, duke vepruar sipas sugjerimeve te të pandehurit Avni Sinanaj, i zë pritën dhe me të kaluar viktima me veturë mbi urë, i pandehuri Murat shtien me armë automatike në drejtim të viktimës, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse.

Pastaj, sipas Prokurorisë, i pandehuri Murat shkon te vetura e viktimës dhe nga viktima merr një çantë krahu e më pas të njëjtin pak më larg se vendi I ngjarjes shkon e merr i pandehuri Avni me veturën e tij, me çka duke vepruar në bashkim kriminal kanë kryer veprën penale të vrasjes së rëndë.

Për vrasjen e Ferdinand Gjinit ishte gjykuar më parë nga Gjykata në Pejë i akuzuari Gjon Pnishi, i cili u shpall fajtorë dhe u dënua me 18 vjet burg, mirëpo Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim.

Për të njëjtin rast u arrestuan edhe Bekim Raja, Avni Sinani dhe Murat Sinani.

https://kallxo.com/deklarohen-te-pafajshem-te-akuzuarit-per-vrasjen-e-ferdinand-gjinit/

 

.