Pallati i Drejtësisë - Foto: KALLXO.com

Dëshmitari Flet për Vrasjen në Podujevë

Në gjykimin e Hysen Sherifit për vrasjen e Ismet Sfishtës në Podujevë më 16 shtator të vitit të kaluar, dëshmuan bashkëshortja dhe fqinji i të akuzuarit.

Adem Kapiti, fqinji i të akuzuarit Sherifi tha në gjykatë se ndodhej brenda në shtëpi kur dëgjoi të shtënat, ndërsa tregoi se doli për të shikuar çfarë kishte ndodhur.

“Pasi që kam dëgjuar krismat kam dalë në rrugë, e kur dola në rrugë e pashë kamionetën, dhe kur e pashë mendova që ka ndodhur ndonjë aksident sepse kaminoneta ka qenë larg nga shtëpia ime 50-60 metra”, tha Kapiti.

Hysen Sherifi akuzohet se para shtëpisë së tij vrau Ismet Sfishtën duke qëlluar në drejtim të kamionetës të cilën po e drejtonte Sfishta.

Dëshmitari Kapiti më tutje tregoi se shkoi drejt kamionetës, ndërsa e pa shoferin e saj që nuk lëvizte.

“Shkova në drejtim të kamionetës për t’i ofruar ndihmë, e kur u afrova diku 10-15 metra e pashë brenda shoferin që nuk lëvizte i cili kishte qenë i mbështetur për karrige me kokë poshtë”, deklaroi dëshmitari Kapiti.

Kapiti tha se nuk mundi ta identifikojë shoferin në kamionetë dhe bëri të ditur se u largua nga vendi i ngjarjes.

Dëshmitari foli edhe për fqinjin e tij të akuzuar për vrasje. Tha se e njihte si njeri të mirë.

Përveç Kapitit, dëshminë e saj e përfundoi Fatime Sherifi, bashkëshortja e të akuzuarit Hysen Sherifi.

Fatime Sherifi tha se familja e saj me familjen e të nderit Ismet Sfishtës tanimë janë pajtuar dhe se tani kanë raporte normale.

Fatime Sherifi dëshmoi edhe më 26 prill, kur tha se tash i ndjeri Ismet Sfishta kishte tentuar ta godiste burrin e saaj me kamionetën të cilën e ngiste me shpejtësi të madhe.

http://kallxo.com/deshmitaret-nderrojne-fjalet-per-vrasjen-ne-podujeve/

Hysen Sherifi po akuzohet se me 16 shtator 2016 afër shtëpisë së tij në Rrugën “Hasan Ramadani” në Podujevë me dashje dhe për motive të ulëta edhe pse në atë çast nuk ka qenë I rrezikuar drejtpërdrejt e ka privuar nga jeta Ismet Sfishtën.

Sipas aktakuzës, Hyseni ka vepruar në atë mënyrë për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme ndërmjet këtyre dy familjeve dhe për shkak se djali i tij ishte shkurorëzuar nga vajza e tani të ndjerit Ismet Sfishta.

“Derisa Hyseni ishte kthyer nga qyteti i Podujevës pasi që i kishte hapur dyert e oborrit për të hyrë brenda me veturën e tij, me t’u afruar pranë veturës se tij nga drejtimi i kundërt kishte ardhur edhe i ndjeri Ismeti me kamionetën e tij”, thuhet në aktakuzë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i ndjeri e kishte ndalë kamionetën dhe kishte bërë ndërrimin e shpejtësisë në automjetin e tij për të lëvizur mbrapa, mirëpo në atë moment Hyseni nga vetura e tij e kishte marrë armën dhe kishte shtënë tri herë në drejtim të tani të ndjerit Ismet Sfishta, me ç’rast një predhë e tejshkoi parafangon dhe e goditi në pjesën e epërme të gjoksit në qafë të ndjerin.

KALLXO.com ka shkruar edhe më herët për këtë proces gjyqësor.

http://kallxo.com/filloi-gjykimi-te-akuzuarit-per-vrasje-te-mikut/