Gjykimi i togerit |Foto: KALLXO.com

Dëshmitari: E ndërrova raportin pasi u ndjeva i kërcënuar nga togeri

Në gjykimin e togerit të policisë Fadil Surkishi, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare për shkak të ndikimit në dy raste të aksidenteve të trafikut, në cilësi të dëshmitarëve janë dëgjuar zyrtarët policorë Fisnik Veseli dhe Isak Ejupi.

Dëshmitari Fisnik Veseli gjatë dëshmisë së tij tregoi për aksidentin që kishte ndodhur në vitin 2014 në Rrugën ”Skënderbeu” në Podujevë.

Për këtë aksident tha se së bashku me kolegun e tij Fehmi Fazliu pasi që kishin marrë informacionin se atje kishte ndodhur një aksident kishin dalë në vendin e ngjarjes.

Me të dalë në vendin e ngjarjes dëshmitari tha se kishin hasur në dy vetura të aksidentuara, ndërsa për të lënduar deklaroi se nuk kishte pasur.

“Kemi filluar me skicimin dhe fotografimin e vendit të ngjarjes. Pas vendit të ngjarjes pastaj kemi vazhduar në zyrë dhe e kemi përpiluar raportin dhe i kemi udhëzuar të aksidentuarit që kanë marrë pjesë në aksident që të vinë në drejtim të stacionit”, tha dëshmitari të kenë vepruar më pas.

Zyrtari policor tha se në bazë të shikimit në vendin e ngjarjes, në raport kishin konstatuar se Xhavit Avdiu me veturën e tij prej shiritit të vet lëvizës kishte dalë në anën e kundërt dhe e kishte goditur veturën të cilën e drejtonte Ekrem Kurti.

Pastaj prokurorja e rastit Mirushe Llugiqi e pyeti dëshmitarin se kush është Vjollca Avdiu, të cilën tha se dëshmitari në deklaratën e tij të dhënë në prokurori e kishte përmendur dhe për të cilën kishte deklaruar se i kishte telefonuar.

“Ajo është kolege e jona, police po ashtu është bashkëshortja e palës së involvuar në aksident Xhavit Avdiut. Po është bërë telefonata por jo në telefonin tim por te kolegut, gjatë rrugës pa shku ende në vendin e ngjarjes, ne nuk kemi pasur njohuri se kush është i aksidentuar. Unë nuk e dëgjova bisedën por kolegu më tregoi që bashkëshorti i saj ka bërë aksident dhe ajo i ka thënë këqyr boni diçka”, deklaroi dëshmitari.

Pas përfundimit të të gjitha procedurave, deklaratave të të aksidentuarve dhe përpilimit të raportit mbi aksidentin, raport të cilin tha se e kanë dorëzuar në bazë. Dëshmitari deklaroi se së bashku me kolegun e tij Ramë Visoka e kishin bërë kallëzimin penal ndaj Xhavit Avdiut.

Kurse katër-pesë ditë pas kallëzimit penal, dëshmitari tha se e kishin kontaktuar dhe i kishin kërkuar që të shkonte në zyrë te togeri, tashmë i akuzuari Fadil Surkishi.

“Aty kemi biseduar në lidhje me aksidentin që sipas shefit, togerit Fadilit më ka njoftuar që unë paskam bërë gabime, se unë e kam lënë vetëm njërin të dyshuar si shkaktar i aksidentit për çka unë e kam gabim. Ai ka kërkuar me bo ndryshim të kallëzimit penal të rastit komplet”, tha dëshmitari t’i ketë kërkuar i akuzuari.

“Fillimisht unë nuk kam pranuar ta ndryshoj sepse ky ka tentuar që përmes meje të ndikojë që me e ndryshu e që mos me e lënë vetëm njërin fajtor, unë i kam treguar nëse është gabim dhe nuk është ashtu siç e kam paraqitur le ta ndryshojë gjykata”, tha dëshmitari t’i ketë thënë të akuzuarit.

Në lidhje me kërkesën e togerit dëshmitari tha se e ka kontaktuar edhe një zyrtar tjetër policor që deklaroi se i kishte thënë se parimisht nuk bën që të ndërrohet raporti, por pasi që këtë po e kërkon eprori/togeri Fadil Surkishi atëherë “çka thotë ai duhet me u bë”.

Pas katër-pesë ditësh dëshmitari tha se e kishin ndërruar raportin, dhe se kallëzimin penal në emër të tij e kishte bërë kësaj radhe Fadil Surkishi, por që e kishte nënshkruar ai.

“Unë nuk kam qenë i bindur, por togeri më ka urdhëruar që nëse nuk bëhen këto përmirësime nuk mund të vazhdoj më tej ky rast të shkojë në gjykatë. Unë jam ndjerë i kërcënuar, ai më ka thënë nëse ti nuk e bën këtë ndryshim, atëherë ndaj teje do të bëjë ankesë për mosbindje ndaj urdhrave të eprorit”, deklaroi më tej dëshmitari.

Në lidhje me ndryshimin e raportit ai tha se e kishte përpiluar edhe një raport tjetër të oficerit me anë të të cilit i kishte njoftuar të tjerët se nuk ishte pajtuar për ndërrimin e këtij raporti.

Në lidhje me këtë rast zyrtari policor tregoi se ndaj tij është shqiptuar edhe një masë pasi që i njëjti më pas ishte përballur me standarde të policisë.

Ndërsa dëshmitari tjetër- majori Isak Ejupi. i cili në atë kohë tha se ka qenë komandant në Stacionin Policor në Podujevë deklaroi se sipas tij Fadil Surkishi kishte kërkuar që të ndryshohej raporti i aksidentit si rezultat i presionit që kishte pasur nga kolegia e tyre Vjollca Avdiu, përkatësisht gruaja e njërit prej të aksidentuarve Xhavit Avdiut.

“Unë dyshoj se presioni i koleges e ka bindur Fadilin me e bë këtë ndryshim dhe pasi kam komunikuar për herën e dytë me Florim Hysenin për shkak të konfuzitetit që është krijuar rreth këtij rasti dhe përpjekjeve të mia ta sqarojmë në detaje, përsëri e kam ftu palën tjetër qe ka qenë e përfshirë në rast dhe pas komunikimit me këtë palë unë si komandant i stacionit policor nuk kam pasur dilema”, tha dëshmitari Ejupi.

Prokuroria ngarkon Surkishin për periudhën 2013-2014, me arsyetimin se në cilësinë e togerit në Stacionin Policor në Podujevë si shef i Operativës, ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim që të përfitojë në çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër apo t’i shkaktojë dëm personit tjetër, ose që seriozisht t’i shkelë të drejtat e personit tjetër.

Aktakuza ngarkon Surkishin se ka ndikuar në dy raste të aksidenteve të trafikut, ku i pari kishte ndodhur në fshatin Dumnicë, komuna e Podujevës, ndërsa i dyti kishte ndodhur në Rrugën “Skënderbeu” në Podujevë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Surkishi pretendohet se për këto dy raste ka ndikuar te zyrtari policor – dëshmitari Behxhet Gashi, ku edhe e ka detyruar që raportin e parë të aksidentit ta ndryshojë në detajet e aksidentit dhe skicën e vendit të ngjarjes, edhe pse dëshmitari Behxhet Gashi nuk është pajtuar dhe mospajtimin e ka treguar përmes një raporti.

Derisa për aksidentin tjetër, prokuroria pretendon se i akuzuari Surkishi ka ndikuar dhe e ka detyruar zyrtarin policor Fisnik Veseli, që kundër vullnetit të tij të bëj ndryshimin e raporteve të aksidentit dhe ndryshimin e kallëzimit penal, mirëpo Fisnik Veseli po ashtu ka përpiluar raportin e oficerit duke dhënë arsyen e ndryshimit në raportin e aksidentit dhe kallëzimin penal për rastin në fjalë.

Me këtë Surkishi ngarkohet për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.