Gjykimi i ish-gjyqtares Safete Tolaj - Foto: KALLXO.com

Dëshmitari: Djali i Safete Tolajt kërkoi tokë, 5 mijë euro dhe veturë

Në gjykimin ndaj ish-gjyqtares Safete Tolaj dëshmoi i dëmtuari Agron Kelmendi.

Kelmendi në dëshminë e tij pretendon se për të liruar pronën e tij të blerë e të uzurpuar, iu kërkuan para, tokë e veturë për të përshpejtuar lëndën të cilën e gjykonte Safete Tolaj në gjykatë.

Madje, pasi që ky dëshmitar kishte raportuar te gazetarët e Emisionit “Drejtësia në Kosovë” kishte pranuar kërcënime për të mos vazhduar raportimin.

I dëmtuari Agron Kelmendi u thirr në cilësinë e dëshmitarit nga prokurori Rasim Maloku, edhe pse në aktakuzë Agron Kelmendi ishte përmendur vetëm si i dëmtuar dhe jo edhe dëshmitar.

Në dëshminë e tij, Agron Kelmendi rrëfeu se si e kishte blerë një tokë në vitin 2012 nga një pronar serb, por që pastaj familja Kadrijaj ia kishte uzurpuar.

“Anëtarët e familjes Kadrijaj nga fshati Rastovicë ma kanë uzurpuar pronën e blerë. Pastaj kemi ushtruar padi në Gjykatën e Deçanit ndaj pushtuesve të paligjshëm. Ka qenë dikun viti 2012 kur e kam ble pronën, ndërsa pas nja gjashtë muajve kam bërë padi për lirimin e pronës së uzurpuar”, tha i dëmtuari.

Gjashtë muaj më pas, Kelmendi kishte ushtruar padi në Gjykatën në Deçan, dhe si gjyqtare e rastit të tij ishte caktuar tash e akuzuara Safete Tolaj.

Ai shtoi se seanca e parë kishte filluar vetëm pas një viti qëkur kishte ushtruar padi.

“Seanca ka fillu diku pas një viti kur kom bo padi. Padinë time e ka shqyrtuar gjyqtarja këtu që është, Safete Tolaj. Bile, Safete Tolaj ka udhëhequr edhe procedurën e trashëgimisë së pronës që kam blerë para se me ble unë atë pronë”, tha dëshmitari Agron Kelmendi.

Dëshmitari, rrëfeu se gjatë kohës së gjykimit, kishte takuar gjyqtaren Safete Tolaj në korridorin e gjykatës dhe e njëjta e kishte pyetur për një banesë që donte ta blinte në Prishtinë.

“Pasi kanë fillu seancat e gjykimit tim, e di një herë në korridor kur shkojsha në seanca, gjyqtarja Safete Tolaj me ka pyet për një banesë në Prishtinë. Sigurisht mendimi ka qenë me ble banesën, por unë i kam thënë se s’kom qasje në Komunën e Prishtinës”, tha dëshmitari.

Dëshmitarit i kujtohet se Fisnik Tolaj, djali i gjyqtares Safete Tolaj, ishte shpesh i pranishëm në gjykimin e tij dhe ai ulej afër gjyqtares, duke e bërë të kuptohej se ishte punëtor i gjykatës.

“Në shumicën prej seancave ka marrë pjesë edhe djali i gjyqtares, Fisnik Tolaj, i cili ka qenë i ulur afër gjyqtares. E unë mendojsha që ai punon aty, se është staf i gjykatës”, rrëfeu në dëshminë e tij, Agron Kelmendi.

Më tej, dëshmitari rrëfen se si Fisnik Tolaj i është lajmëruar Berat Kelmendit, djalit të vëllait të dëshmitarit dhe Fisnikut i kishte treguar se ka lidhje të afërta me gjykatën dhe se mund t’i shpejtojë lëndët, përfshirë lëndën e tyre.

Pas një kohe, Fisnik Tolaj u kishte kërkuar që t’u jepet një tokë afër fshatit Raushiq, me sipërfaqe prej 3 ari dhe pesë mijë euro para të gatshme.

“Është arritë marrëveshja mes Beratit dhe Fisnikut. Është kërkuar t’i ipet një pllac prej 3 ari e 70 metra katrorë dhe 5 mijë euro para të gatshme nga Berati”, tha dëshmitari.

Pasi që gjyqtarja Tolaj kishte nxjerrë masë të përkohshme për ndalim të shitjes së pronës së dëshmitarit, Fisniku Tolaj, sipas dëshmitarit, kishte ardhur në takim te shtëpia e tij.

Sipas dëshmitarit, Fisnik Tolaj i kishte kërkuar dëshmitarit edhe veturën e tij të markës “Mercedes”.

“Gjatë takimit, Fisniku më ka kërkuar edhe një veturë të markës ‘Mercedes’, e cila ishte pronë e imja”, tha Agron Kelmendi.

Por, dëshmitari tregoi se veturën nuk kishte pranuar të ia jepte Fisnik Tolajt, pasi që vetura kishte vlerë shumë të madhe.

Dëshmitari, më tej rrëfen se tokën në Raushiq ia kishte shitur Agron Ahmetgjekajt, përmes kontratës së noterizuar, pas kërkesës së Fisnik Tolajt që pronën ta regjistronte në emër të Agron Ahmetgjekajt.

“Fisnku më kërkoi që pronën ta regjistroj në emër të Agron Ahmetgjekajt dhe thojke (Fisniku) se e kam baxhanak dhe kam obligime ndaj tij”, rrëfen dëshmitari.

Sipas dëshmitarit, ish-gjyqtarja Tolaj kishte nxjerrë vendim që të anulohej kontrata me të cilën kishte blerë pronën e tij, e cila ishte uzurpuar më pas.

“Me vendim të gjyqtares Tolaj është anuluar kontrata për shitblerjen e pronës që kisha blerë nga një serb dhe tash me ankesë të avokatit tim lënda është në Apel”, u deklarua dëshmitari.

Agron Kelmendi, në dëshminë e tij rrëfe se pas vendimit të gjyqtares Tolaj që të anulohej kontrata me të cilën ai kishte blerë tokën, dëshmitari kishte raportuar rastin tek Emisioni “Drejtësia në Kosovë”.

Pas raportimit, ai dhe djali i tij kishin pranuar kërcënime nga persona të panjohur, për të mos vazhduar me gazetarët e Emisionit “Drejtësia në Kosovë”.

“E kanë thirrë në telefon djalin tim dhe i kanë kërku që me i thonë babës tanë me u tërhjek nga ky emision. Kom pas edhe unë telefonata kërcënuese anonime”, deklaroi Agron Kelmendi.

Në fund të kësaj seance, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Ibrahim Idrizi njoftoi palët se për shkak se kjo lëndë është rast i shënjestruar për liberalizim të vizave, gjatë tërë muajit maj pritet të mbahen 4 seanca të gjykimit.

Në seancën e radhës pritet të dëshmojë i dëmtuari tjetër, Berat Kelmendi, që dëshmitari Agron Bajrami e përmend si personin i cili ka biseduar vazhdimisht me të akuzuarin Fisnik Tolaj dhe i cili ia ka dorëzuar paratë këtij të fundit.