Seanca e gjykimit të ish-gjyqtares Safete Tolaj - Foto: KALLXO.com

Dëshmitari: Djali i ish-gjyqtares Tolaj m’i kërkoi 20 mijë euro për të përshpejtuar lëndën

Gjykimi ndaj ish-gjyqtares Safete Tolaj, djalit të saj, Fisnik Tolaj dhe zyrtarit të Policisë, Granit Shehaj, vazhdoi sot me dëgjimin e dy dëshmitarëve të ftuar nga Prokuroria.

Në rastin e shënjestruar për liberalizimin e vizave dëshmuan Berat Kelmendi dhe Bashkim Hoxha.

Në dëshminë e tij, Berat Kelmendi rrëfeu se si Fisnik Tolaj i kërkoi atij shumën prej 20 mijë eurove për të përshpejtuar një lëndë të pronës që xhaxhai i tij, Agron Kelmendi, e kishte tek ish-gjyqtarja Safete Tolaj.

Dëshmitari tregoi se Fisnik Tolajn e njihte edhe më parë, dhe si ai i kishte kërkuar atij të takohej për kafe për të biseduar pas një seance të gjykimit që udhëhiqej nga ish-gjyqtarja Safete Tolaj.

“Fisnikun e kam njoftë edhe më përpara. Në korridor të gjykatës jemi takuar një herë, më ka ftu me pi kafe, por mas një kohe të gjatë jemi dalë në Deçan”, shpjegoi dëshmitari Berat Kelmendi.

Dëshmia e Berat Kelmendit u përcoll me ndërprerje pasi që prokurori Rasim Maloku kishte vërejtje se “dëshmitari po bënte hajgare”.

Më pas, mbrojtësi i Fisnik Tolajt, Gzim Kollçaku reagoi duke e cilësuar vërejtjen e prokurorit si “njëfarë presioni” ndaj dëshmitarit.

Mirëpo, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Ibrahim Idrizi nuk mori parasysh vërejtjen e Kollçakut, duke vlerësuar se pyetjet e prokurorit nuk janë presion ndaj dëshmitarit. Për më tepër, në disa raste, kryetari i trupit gjykues i tërhoqi vërejtjen dëshmitarit që të thotë të vërtetën.

Prokurori Maloku e përballi dëshmitarin Berat Kelmendi me dëshminë që kishte dhënë më herët në Prokurori. Dëshmitari deklaroi se qëndron pranë deklaratës së dhënë në atë kohë në Prokurori.

“Fisi më thirri me folë për me ia kry lëndën axhës tem, pra për me ja shpejtu laëndën, tek nëna e vet që ishte gjyqtare”, tha dëshmitari, pasi e konfirmoi se qëndronte pranë deklaratës së dhënë më herët.

Pas një kohe, Berat Kelmendi ishte takuar me Fisnik Tolajn në një vend afër Gjykatës në Deçan, ku ky i fundit i kishte kërkuar 20 mijë euro.

“Në takim Fisniku ka kërkuar 20 mijë euro. Dhe unë i thash që pa folë me axhën tim nuk muj me u marr vesh”, tha dëshmitari Berat Kelmendi.

“Axha më tha fol edhe ofroja një pllac se pare nuk kam. Më pastaj jemi takuar me Fisnikun. Kemi qenë unë, Agroni (Kelmendi), Ramizi (Muriqi), Fisniku dhe një person tjetër me emrin Agron (Ahmetgjekaj). Kur ia ofrova pllacin, Fisniku e pranoi pllacin”, shtoi Kelmendi.

Por, sipas dëshmitarit, Fisnik Tolaj kërkoi edhe 5 mijë euro dhe pllacin që ndodhej në Raushiq.

“Fisniku i kërkoi edhe 5 mijë euro dhe pllacin. Te noteri kemi shku, dhe pllaci iu ka përkthy te noteri. Kemi qenë unë, Fisniku, Agroni”, tha dëshmitari Berat Kelmendi, duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit.

“Agroni dy herë ia ka dhënë nga 1 mijë euro, pra 2 mijë euro në total”, shtoi Kelmendi.

Më vonë, sipas Berat Kelmendit, lënda e Agron Kelmendit nuk ishte zgjidhur dhe se Fisnik Tolaj po i kërkonte edhe veturën “Mercedes” për të zgjidhur lëndën. Por, sipas tij, Agron Kelmendi refuzoi t’i japë edhe veturën.

Më tej, prokurori Maloku e pyeti dëshmitarin nëse kishte pasur ndonjë takim me gjyqtaren. Berat Kelmendi pranoi se në një rast e kishte takuar gjyqtaren Safete Tolaj.

“E pyeta zonjën gjyqtare se a është e vetëdijshme që Fisniku, djali i juaj, po kërkon para për ta kryer lëndën. Gjyqtarja m’u përgjigj që jo, nuk është në dijeni për këtë çështje”, rrëfeu dëshmitari.

Po atë ditë, ai deklaroi se kishte pranuar një thirrje telefonike nga Fisnik Tolaj, i cili e kishte pyetur se pse ky kishte shkuar te gjyqtarja.

“Fisniku më ka thirrë më vonë dhe më ka thënë: pse i ke tregu nanës tem?”, tha dëshmitari.

Sipas dëshmitarit, edhe pse Fisnik Tolajt i kishin dhënë para dhe truallin në Raushiq lënda nuk ishte zgjidhur, dhe se së bashku me Agron Kelmendin e kishin pyetur Fisnik Tolajn nëse gjyqtarja dinte ndonjë gjë për këtë.

“Fisnikun e kam pyetur se a e din nëna jote se ke marrë pare dhe pllac për këtë lëndë dhe Fisniku ka thënë se po, gjyqtarja e din”, shtoi dëshmitari.

Në pyetjet e avokatëve mbrojtës, Gzim Kollçaku dhe Kujtim Kërveshi, në lidhje me veturën “Mercedes”, dëshmitari Berat Kelmendi tha se veturën ia kishin ofruar Fisnik Tolaj për ta shitur por më pas ai ua kërkonte veturën në mënyrë që t’u ndihmonte ta zgjidhin lëndën në Prishtinë.

“Vetura iu ka ofru Fisnikut me e shit te dikush, por pastaj Fisniku i ka kërkuar Agronit (Kelmendi) ta marrë veturën në mënyrë qe t’i kryejë punë në Prishtinë në lidhje me lëndën”, tha dëshmitari.

Dëshminë në këtë seancë e dha edhe dëshmitari Bashkim Hoxha, i cili deklaroi se nuk e njihte të akuzuarin Granit Shehaj dhe se e kishte takuar njëherë Fisnik Tolajn.

“Rastin e ngatërresës së vëllezërve të mi e kishte gjyqtarja Safete Tolaj. Për njërin vëlla kam paguar 5 mijë euro si dorëzani në Gjykatë, për t’u liruar nga paraburgimi”, tha dëshmitari Bashkim Hoxha.

Më tej, dëshmitari tregoi se ditën kur kishte bërë kërkesë të takonte vëllezërit e tij në paraburgim, në një kafiteri afër Gjykatës kishte takuar mikun e tij Shqiprim Qupaj, i cili ishte i shoqëruar me Fisnik Tolajn. Por ai mohoi se në këtë takim ishte i pranishëm edhe Granit Shehaj.

“Asnjë person tjetër në këtë sallë të gjykimit nuk ishte në takim”, u përgjigj dëshmitari, në pyetjen e prokurorit nëse ndonjë person në sallën e gjykimit ishte i pranishëm në takim.

Në pyetjet e mbrojtësit të së akuzuarës Safete Tolaj, dëshmitari deklaroi se ishte ftuar të jap dëshmi në stacionin policor në Pejë, në të cilin kishte ardhur edhe prokurorja e rastit.

“Pas një kohe, në zyrë erdhi edhe prokurorja që u prezantua, sa më kujtohet me mbiemrin Bisha-Haxhosaj, dhe më tha se dikush e ka pranuar se ka marrë para në emër tuajin. Ndërsa, unë i kam thënë se nuk kam të bëjë asgjë me këtë”, tha dëshmitari Bashkim Hoxha.

Në fund, ai shtoi se ishte marrë në pyetje për rreth tre orë dhe në fund nuk i ishte dhënë asnjë procesverbal i dëshmisë për ta lexuar apo nënshkruar.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për këtë proces gjyqësor, i cili ka nisur pas aktakuzës së ngritur pas gjetjeve të emisionit “Drejtësia në Kosovë”.