Gjykimi i Safete Tolajt | Foto: KALLXO.com

Dëshmitari: Babai i dha para djalit të ish- gjyqtares për lirimin e djemve

Në gjykimin e ish-gjyqtares Safete Tolaj, e akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë kohës sa ishte gjyqtare, djalit të saj, Fisnikut dhe zyrtarit të Policisë, Granit Shehaj, dëshmoi Isuf Mehmetaj.

Isuf Mehmetaj tha se ka bashkëfshatar të dëmtuarin Salih Mehaj.

Dëshmitari Mehmetaj deklaroi se nga Salihu kishte dëgjuar se dy djemtë e tij ishin përfshirë në një përleshje, me ç’ rast edhe kanë përfunduar në gjykatë.

“Më ftoi që të shkoj me të në gjykatë në Deçan për ta shoqëruar, meqë ishte i vetëm dhe frikësohej nga pala tjetër”, shtoi dëshmitari.

Sipas tij, ai kishte pranuar ta shoqëronte dhe me të shkuar në gjykatë kishte takuar tani të akuzuarin, djalin e ish- gjyqtares Fisnik Tolaj.

“Në gjykatë kam qenë me Salihun në korridor, në atë moment ka hyrë Fisnik Tolaj dhe unë e njifsha si figurë, më pyeti ‘pse ke dalë’, i tregova dhe më tha ‘kjo punë është e lehtë, kryhet, por duhen të holla për ta kryer këtë lëndë, 700 euro’”, shtoi dëshmitari.

Dëshmitari tha në sallë të gjykatës se ka menduar që Tolaj është punëtor në atë gjykatë, si dhe ka qenë në dijeni se nëna e tij është kryetare e asaj dege të Gjykatës.

Këtë mesazh të Fisnikut ai tha se ia ka përcjellë Salihut, e ky i fundit edhe ka pranuar të paguajë që lënda e djemve të tij të mbyllet, me ç’rast edhe i janë dorëzuar paratë të akuzuarit Fisnik Tolaj.

Pas kësaj, sipas dëshmitarit, Salih Mehaj i kishte treguar se ka pranuar përsëri letër nga gjykata.

“Pas rreth një muaji, jam takuar përsëri në shitore me Salihun, ai më tregoi se ju ka ardhe thirrja e djemve për të dalë në gjyq. Jam takuar përsëri me Fisnikun në një lokal dhe i thashë se ka ardhë një letër. Jam kthyer te Salihu, i kam thënë ‘a bën me marrë letrën se nuk po më beson’. Më pas atë letër ia dorëzova Fisnikut dhe më tha se e rregullon këtë punë, por se i duhet pak kohë, si dhe 800 euro”, vazhdoi dëshmitari.

Sipas tij, përsëri Salih Mehaj ia kishte dhënë 800 euro atij për t’ia dërguar të akuzuarit Fisnik Tolaj “për mos me ia mshel djalin e madh”, pasi që sipas dëshmitarit, Salih Mehaj i kishte thënë se burimi i vetëm financiar i familjes është djali i madh.

Pas një kohe, dëshmitari Mehmetaj tha se Salih Mehaj i kishte treguar se i kanë arritur edhe dy thirrje të tjera nga gjykata.

“Salihu më tha më kanë ardhë dy thirrje, unë i thashë se me sa e di kjo punë është kryer, më tha ‘mua më kanë ardhë thirrjet”, deklaroi dëshmitari.

Sipas tij, Salih Mehaj i kishte kërkuar që përsëri të takohej me të akuzuarin Fisnik Tolaj, por pa prezencën e tij.

“Atë ditë kam shkuar në shtëpinë e Fisnikut, por te dera e shtëpisë nuk doli askush, kam pyetur për numrin e tij te një person dhe më pas e kam kontaktuar. Më ka thënë ‘jom në deti dhe e kam lënë këtë punë si zhag pak, por kjo punë është e mbyllur’”, tha dëshmitari.

Pas kësaj, ai tha se kësaj here së bashku me Salih Mehajn kanë shkuar për t’u takuar me Fisnik Tolajn në Deçan. Pasi janë takuar, sipas tij, Fisniku u ka kërkuar edhe 350 euro “për t’i paguar troshkat e fundit”.

Më tej, dëshmitari tregoi se Fisniku u kishte thënë se nëse nëna e tij (e akuzuara Safete Tolaj) është në trupin gjykues që po e shqyrton lëndën, atëherë mundet edhe të ndikojë.

Madje, dëshmitari deklaroi se i akuzuari i ka thënë se punon si ndihmës në gjykatë.

Pas prokurorit Rasim Maloku, në pyetje dëshmitari u mor edhe nga avokati i Safete Tolajt, Kujtim Kërveshi, si dhe vetë Safete Tolaj.

E akuzuara Tolaj ishte deklaruar e pafajshme ndaj akuzave të prokurorisë.

Sipas aktakuzës, e pandehura në Gjykatën Themelore në Pejë – Dega në Deçan, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për tjetrin, përkatësisht për të pandehurin Fisnik Tolaj, keqpërdori autoritetin zyrtar në atë mënyrë që pasi ajo më 02.01.2017 e kishte caktuar paraburgimin për një të pandehur, derisa i pandehuri Fisnik Tolaj dhe Granit Shehaj ishin takuar dhe ky i fundit duke shfrytëzuar detyrën zyrtare tejkaloi kompetencat e tij dhe i dha shumën prej 1.900 euro të pandehurit Fisnik Tolaj për të ndikuar tek e pandehura Safete Tolaj, e cila më pas më 10.01.2017 masën e paraburgimit e zëvendësoi me masën e dorëzanisë.

Gjithashtu, sipas aktakuzës, e pandehura Tolaj deri më 13.01.2017 ka fshehur materialet arkivore të Gjykatës Themelore në Pejë, dega në Deçan, ashtu që në shtëpinë e së njëjtës janë gjetur dosje origjinale të kësaj Gjykate, e të cilat e kishin vendin në arkivin e Gjykatës.

Tutje, në përshkrimin e aktakuzës thuhet se pandehura Safete Tolaj deri më 13.01.2017 në Gjykatën e lartcekur i ka mundësuar të pandehurit Fisnik Tolaj përpilimin e dokumenteve dhe shkresave zyrtare ashtu që i pandehuri Fisnik Tolaj duke shfrytëzuar pozitën e të pandehurës dhe me dijeninë e saj përdor vulën dhe shkresat zyrtare në të cilat fut përmbajtje të rreme.

“Të lartcekurit me veprimet e tyre, kanë kryer veprat penale të përshkruara sikur më lart, për çka prokurori i çështjes i ka propozuar Gjykatës që të njëjtit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat u vihen në barrë”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë së Shtetit.

Aktakuza ndaj Tolajt dhe djalit të saj ishte ngritur pas transmetimit të Emisionit “Drejtësia në Kosovë”.