Franko Simatoviq dhe Jovica Stanishiq në gjyqin e Hagës. Foto: BETA

Dëshmitari: Stanishiqi Ishte Shef i Arkanit

Dëshmitari i prokurorisë Borivoje Saviq tha në Mekanizmin për Gjykatat Ndërkombëtare në Hagë të mërkurën se Zeljko Raznatoviq i tha atij në maj 1991 se shefi i Shërbimit të Sigurimit Serb të shtetit Jovica Stanisiq ishte shefi i tij.

Saviq, një nga themeluesit e Partisë Demokratike Serbe, SDS, në qytetin kroat të Vukovarit, tha se Raznatoviq, lideri paraushtarak dhe krimineli tashmë i vdekur, i tregoi se kush i dha atij urdhra kur u takuan në një kafene në Beograd.

Saviq tha në gjyq të martën se Sigurimi i Shtetit në Serbi, SDB, vendosi forcat paraushtarake të Raznatoviqit në Zonën e Sllavonisë Lindore të Kroacisë në pranverën e vitit 1991, kur njësitë e tij kryen krime të rënda kundër civilëve joserbe.

Gjatë dëshmisë së tij të mërkurën, Saviq tha se burrat e Raznatoviqit dhe forca të tjera paraushtarake serbe ndoqën Ushtrinë Popullore Jugosllave, APJ, në fushatën e saj në Kroaci dhe “spastruan” fshatra pas kësaj.

“APJ-ja u dha urdhër ushtarëve të saj të mos i dëmtonin civilët, por ata u pasuan nga një ekip që kreu spastrimin. Ata ishin heronjtë që vranë pleq, dogjën dhe plaçkitën shtëpi”, tha dëshmitari.

Saviq dëshmoi në gjyqin e Stanisiqit dhe ish-zëvendësit të tij, Franko Simatoviq, të njohur ndryshe si “Frenki”.

Stanisiq, i cili ishte kreu i SDB-së serbe nga viti 1992 dhe ish-ndihmësi i tij Simatoviq po rigjykohen për përndjekje, vrasje, dëbime dhe zhvendosje të dhunshme të civilëve kroatë dhe boshnjakë gjatë luftërave në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë nga viti 1991 deri më 1995.

Sipas akuzave, ata ishin pjesë e një sipërmarrjeje të përbashkët kriminale të udhëhequr nga ish-presidenti serb Sllobodan Millosheviq, që synonte dëbimin me dhunë dhe të përhershëm të kroatëve dhe boshnjakëve nga pjesë të mëdha të Kroacisë dhe Bosnjës e Hercegovinës për të arritur dominimin serb.

Gjatë marrjes në pyetje, avokati mbrojtës i Stanisiqit Wayne Jordash e pyeti dëshmitarin se çfarë posti mbante zyrtarisht Stanisiqi në maj të vitit 1991.

“Nuk e di,” u përgjigj Saviq.

Duke komentuar mbi pretendimin e dëshmitarit se sigurimi i shtetit në Serbi kontrollonte Raznatoviqin, avokati i Stanisiqit sugjeroi se Saviç nuk e kishte bërë dot dallimin midis shërbimit dhe Departamentit të Sigurisë Publike të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, shefi i të cilës, Radovan Stojçiq, i njohur ndryshe si “Badza”, ishte aktiv në Sllavoninë Lindore dhe bashkëpunoi ngushtë me Raznatoviqin.

“Stojiçiq njihej si polic i Millosheviqit. Ai ishte ndihmësministri i Ministrisë së Brendshme të Serbisë, i cili u emërua komandant i Mbrojtjes Territoriale të Borovo Selos në Kroaci. Ai u emërua nga sigurimi i shtetit”, u përgjigj Saviq.

Kur u pyet se nga e dinte që armët u dërguan në Sllavoni nga SDB-ja serbe dhe jo, për shembull, nuk ishin futur kontrabandë, dëshmitari u përgjigj: “Kush mund ta siguronte dërgimin e armëve përtej kufirit pa ndërhyrjen e policisë apo ndonjë kontroll tjetër? SDB-ja, kush tjetër?”

Stanisiq dhe Simatoviq deklaruan të dy se ishin të pafajshëm në dhjetor të vitit të kaluar pasi apeli në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë rrëzoi vendimin e mëparshëm për lirimin e tyre nga akuzat.

Gjykata e Apelit vendosi më 15 dhjetor se kishte gabime serioze ligjore dhe faktike kur Stanisiq dhe Simatoviq u liruan fillimisht nga akuzat për krime lufte në vitin 2013.

Ajo urdhëroi që çështja të rigjykohej dhe të gjitha provat dhe dëshmitarët të ridëgjoheshin plotësisht nga gjyqtarët e rinj.

Marrja në pyetje e Saviqit vazhdon sot.