Gjykimi për lejimin e pëerdorimit të njehsorëve Kohler | Foto: KALLXO.com

Dëshmitarët: Me Njësorët Kohler Paguam më Shumë

Hazir Shala, njëri nga dëshmitarët në gjykimin e zyrtarëve të Agjencisë së Metrologjisë për lejimin e përdorimit të njësorëve Kohler të tipit AELTF04-1, tha se me këta njësorë fatura i ka ardhur deri në 900 euro, ndërsa me orët e mëhershëm tha se më fatura më e lartë i erdhi 200 euro.

Por Shala nuk i solli faturat e tilla me vete, edhe pse tha se i ka.

Me kërkesë të Besnik Berishës, avokatit të të akuzuarit Avni Alidemaj, u vendos që ky dëshmitar të vijë edhe në seancën tjetër për të treguar faturat e larta që i erdhën pas matjeve me njehsorët “Kohler”.

Edhe dëshmitari tjetër Abedin Emini u ankua për faturat e larta që i erdhën me njehsorët “Kohler”.

Por Besnik Berisha, avokati i Avni Alidemajt, ia paraqiti një regjistër me pagesa të energjisë elektrike që i kishte bërë Emini, duke konstatuar se fatura më e lartë me njehsorët “Kohler” i kishte ardhur në vlerën e 73 eurove.

“Nga regjistri që e kemi ne nga faturat që ju keni paguar, për muajin korrik 2014 e ke maksimumin 72 euro e 82 centë, ky muaj është më i larti, ndërsa me njësorët e tjerë mekanikun shifra më e lartë që keni paguar është 73 euro e 89 centë, e me ‘ISRA’ është 75 euro”, tha avokati Berisha.

Por dëshmitari Abedin Emini nuk u pajtua me këto që tha avokati Berisha, duke treguar se shpesh nga faturat e larta që i kanë ardhur e ka fajësuar gruan e tij për shpenzime të energjisë.

“Qekjo nuk është e vërtetë valla, unë jam mbyt tu i bërtit plakës se pse po bën kaq shumë harxhime, me grua kam hy në gjynah”, deklaroi dëshmitari.

Edhe Feud Deda, dëshmitari tjetër në këtë proces gjyqësor tha se pas kalimit nga njësori mekanik në atë digjital atij i kishin ardhur faturat shumë më të larta se më parë.

Deda deklaroi se faturat e shtrenjta nuk i kishte me vete, pasi tregoi se i kishte dorëzuar në polici kur ishte deklaruar për rastin e njehsorëve “Kohler”.

Përveç tre dëshmitarëve që u ankuan për fatura të fryra me “Kohler”, dëshmoi edhe Teuta Luboteni, ish-zyrtarja e Agjencisë së Metrologjisë dhe ish-këshilltarja në kabinetin e ish-ministres Hykmete Bajrami.

Dëshmitarja Luboteni deklaroi se për miratimin për përdorim të njësorëve, duhet kaluar nëpër disa pika, të cilat nuk iu kujtuan, por deklaroi se janë të përcaktuara me një udhëzim administrativ.

Prokurori Hivzi Bajraktari e pyeti dëshmitaren nëse në Kosovë ka ndonjë laborator të akredituar për licencimin e njehsorëve dhe nëse njehsori i tipit “Kohler” ka kaluar nëpër laboratorë të tillë.

“Laborator të akredituar nuk kemi dhe sipas udhëzimit administrativ është e detajuar se ku duhet të bëhen matjet, unë jam konsultuar me kolegët për këtë tip, sipas udhëzimit administrativ janë testuar në laboratorin e metrologjisë dhe është testuar në laborator të prodhuesit”, tha Luboteni.

Ajo foli edhe për njehsorët e tipit “Kohler” AELTF04-1 që tha se për nga matjet janë të njëjtë me tipin AELTF04.

“Ajo që i vihet -1 nuk bën ndryshim në sistemin matës dhe nëse nuk bën ndryshim në sistemin matës nuk ka kurrfarë ndikimi në saktësi”, shtoi ish-zyrtarja e kësaj agjencie.

Aktakuza ndaj Vjollca Ajvazit, Drita Hamitit dhe Avni Alidemajt u ngrit nga Prokuroria Themelore e Prishtinës më 6 tetor 2015.

Në këtë gjykim, ish-drejtori i Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, tanimë i ndjeri Sokoli, është akuzuar se në bashkëveprim dhe duke e shfrytëzuar detyrën zyrtare, u ka mundësuar palëve të interesit KEDS dhe atyre “Kohler” të përfitojnë dobi në mënyrë të kundërligjshme.

Sipas aktakuzës, pasi që dy zyrtarët e Metrologjisë Vjollca Ajvazi dhe Drita Hamiti kanë shqyrtuar dokumentacionin për miratimin e lejimit të tipit të njehsorit elektrik digjital të prodhuesit “Kohler”, Sokoli ka pranuar që ta licencojë në mënyrë të kundërligjshme njehsorin elektrik digjital të tipit “AEL. TF.04-1” të firmës “Kohler” nga Turqia.

Vjollca Ajvazi akuzohet se në mënyrë të paligjshme i rekomandoi Sokolit lejimin e këtij tipi të njehsorit, ndërsa Drita Hamiti ngarkohet se i ndihmoi Ajvazit për këtë rekomandim.

Në aktakuzë thuhej se të akuzuarit e dinin se këta njehsorë matnin në mënyrë të pasaktë.

KALLXO.com ka shkruar vazhdimisht për këtë proces gjyqësor.

Dëshmitarët dëshmojnë për shpenzimet e larta të energjisë që ju faturoheshin me njësoret “Kohler”