Arkiv - Enver Sekiraqa - Foto: KALLXO.com

Dëshmitare sekrete në gjykimin e Sekiraqës, seanca mbyllet për publikun

Gjykimi ndaj Enver Sekiraqes për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza u mbyll përsëri për publikun.

Në këtë gjykim pritej të dëgjoheshin dy dëshmitare emri i të cilave nuk u bë i njohur për të pranishmit në sallë.

Arsyet për mbylljen e seancës sipas gjyqtarit Shashivar Hoti ishin se gjykimi ishte i mbyllur edhe herën e parë kur këto dy dëshmitare kishin dhënë dëshminë.

“Gjykimi është i mbyllur për publikun pasi edhe në shqyrtimin gjyqësor ku janë marrë në pyetje këto dy dëshmitarë gjykimi ka qenë i mbyllur”, tha gjyqtari Shashivar Hoti.

Me mbylljen e seancës u pajtua edhe Prokurori Special Haki Gecaj.

“Unë pajtohem që seanca të jetë e mbyllur ngase edhe në gjykimin e kaluar është respektuar kjo kërkesë”, tha Gecaj.

Mirëpo edhe përkundër se seanca u mbyll për të gjithë të pranishmit, trupi gjykues bëri një përjashtim nga kjo rregull.

Trupi gjykues e lejoj praninë e monitoruesve të EULEX-it, në seancë me arsyetimin e misionit që e kanë ndërsa monitoruesit e BIRN i largoi nga salla.

Kjo nuk është hera e parë që kjo gjykatë në këtë mënyrë vendos standarde të dyfishta pasi edhe në gjykimin e kaluar ndaj Enver Sekiraqës e edhe në seancën dëgjimore për masën e paraburgimit ndaj të dyshuarve për vrasjen e Oliver Ivanoviqit gjykata kishte vepruar në të njëjtën mënyrë duke e lejuar praninë e monitoruesve ndërkombëtarë të EULEX-it, ndërsa duke e mbyllur seancën për monitoruesit vendorë të BIRN-it.

Enver Sekiraqa për akuzat e nxitjes së vrasjes së Triumf Rizes në vitin 2016 ishte dënuar me 27 vjet burg.

Rasti u kthye në rigjykim pasi Gjykata e Apelit e gjeti të mbështetur ankesën e mbrojtjes, Kosovare Kelmendi.

Enver Sekiraqa akuzohet për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza dhe për detyrim.

Për vrasjen e policit Riza, Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg pasi është gjetur fajtor në akuzën se ka qenë ai që e ka vrarë Triumf Rizën në vitin 2007 në lagjen ‘Santea” më Prishtinë.

KALLXO.com ka shkruar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor.

Raportimet lidhur me ketë rast mund ti gjeni në këtë link.