Dëshmia e Ragip Begajt në akuzat për korrupsion në Malishevë

Ragip Begaj, kryetar i Malishevës, të hënën ka dhënë dëshminë e tij në gjykimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndaj Ismet Mazreku, ish-shef i Shërbimeve Publike.

Ismet Mazreku, ish-shef i Shërbimeve Publike në komunën e Malishevës, po akuzohet nga Prokuroria e Gjakovës se kishte bërë manipulime me furnizim të kabllos elektrike në fshatin Gajrak të Malishevës, në vlerë mbi 8 mijë euro.

Në gjykimin e sotëm, avokati publik Mujë Sahitaj përfaqësuesi i komunës së dëmtuar të Malishevës, tha se nuk kishte qenë në dijeni për furnizim me kabllo elektrike në vlerë prej 8 mijë 728 euro e 90 cent.

“Kontratën për furnizim me kabllo elektrike e ka nënshkruar menaxheri i prokurimit publik Ekrem Kastrati me firmën “Leoni”, me drejtor Muharrem Hoti”, deklaroi Mujë Sahitaj.

Kryetari i komunës së Malishevës, Ragip Begaj deklaroi se është në dijeni për furnizimin me kabllo elektrike të fshatit Gajrak, të cilën edhe vet si kryetar i komunës e kishte lejuar.

“Kërkesa e banorëve të fshatit Gajrak të Malishevës, ka qenë që të vendosim kabllon për shkak se aty ka qenë tension i lartë i rrymës dhe se aty afër ka shtëpia të banueshme dhe një shkollë”, tha ai.

“Unë e di që zyra e prokurimit i ka zbatuar rregullat ligjore dhe e ka përzgjedhur kompaninë fituese e pastaj çmimi është bërë nga drejtoria e shërbimeve publike”, deklaroi Ragip Begaj.

Ragip Begaj tregoi se projekti i tij është realizuar, sa i përket pajisjes me kabllo elektrike në fshatin Gajrak të Malishevës.

Kryetari Begaj tha se: “Nga viti 1999 bashkë me bashkëmoshatarët e mi kemi punuar në themelimin e komunës së Malishevës ku kemi punuar 11 muaj pa paga, fillimisht kam qenë shef i financave, prej 2002 deri 2009 kam qenë nënkryetar, e pastaj kryesues i kuvendit, e tani mandatin e dytë 2017 deri 2021 jam kryetar i komunës së Malishevës”, tha Begaj.

“Pas rastit ku më ka thirrë Prokuroria, unë nuk jam marrë me këtë çështje po ja kam lënë në dorë të drejtësisë”, deklaroi kryetari Begaj.

Ai tha se këtu ka një dyshim, sepse as KEDS-i nuk e kishte njoftuar atë si kryetar se janë duke realizuar një projekt.

“Kërkesa e banorëve në komunë ka qenë vetëm për kabllo elektrike, sepse për shtylla banorët kanë pasur marrëveshje me KEDS-in dhe un e kam implementuar kërkesën e banorëve për furnizim me kabllo”, deklaroi Begaj.

“Në marrëveshjen e KEDS-it me banorët e fshatit Gajrak, problemi ka dalë tek banorët e fshatit Banjë, për pjesën rreth 400 metra, të cilët banorë kanë refuzuar që të vendosin tela të zhveshur dhe pastaj ne si komunë e kemi lejuar që të bëhet furnizimi me kabllo”, tha tutje Begaj.

Ai shtoj duke thënë se me këtë veprim ka humbur imazhi i komunës dhe i tiji si kryetar, e njëkohësisht kërkoi që të zbardhet e vërteta.

Ismet Mazreku, kishte mohuar akuzën e Prokurorisë për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar.

 

Në gjykatën e Gjakovës, të hënën dëshmoi edhe laboranti i QKMF-së në Malishevë, Ilir Bajraku, i cili në këtë çështje ishte thirrur si kryetar i fshatit Gajrak të Malishevës.

Ai tregoi se projekti i rrjetit të rrymës sipas marrëveshjes së tyre me KEDS-in, ka qenë të bëhet me tela të zhveshur, por se banorët e lagjes Begaj të fshatit Banjë kishin kundërshtuar.

“Kërkesa jonë në komunë ka qenë me u realizu projekti e pastaj kur kemi shkuar në KEDS, ata na kanë thënë që janë në bisedime me komunën për kabllon elektrike”, deklaroi i pari i fshatit Gajrak, Ilir Bajraku.

“Nuk e di se si ka rrjedh procedura, por kablloja mbi 400 metra që kalon nëpër fshatin Banjë është vendosur, por nuk e di kush e ka realizuar”, tha ai.

Bajraku, theksoj se sot e kësaj dite nuk është në dijeni se kush e ka bërë realizimin e projektit.

Para trupit gjykues me kryetar Nikollë Komani me anëtarët Mentor Bajraktari dhe Besarta Doli, dëshmoi edhe Pllum Kuqi, koordinator i mirëmbajtjes në kompaninë KEDS në Gjakovë.

Ai tregoi se sipas marrëveshjes së mirëkuptimit të bërë nga banorët e fshatit Gajrak dhe KEDS-it, banorët fillimisht kishin hapur gropat, e më pas ishte filluar me implementimin e projektit nga ana e tyre.

“Sipas marrëveshjes, KEDS-i ka pasur për detyrë me i ngrit shtyllat, implementu përçuesit, gonzollat, etj.”- tha Pllum Kuqi.

“Punimet kanë filluar në fshatin Gajrak dhe kanë përfunduar në fshatin Banjë, fillimisht janë vendosur tela alumin të zhveshur, ndërsa tek fshati Banjë është vendosur kablloja ajrore e mbuluar”, deklaroi Kuqi.

Ai tregoi se për shkak të rrezikshmërisë ka pasur dy lloje të kabllove, të cilat as vet nuk i kishte parë.

“Kabllot janë sjellë nga depoja qendrore në Prishtinë të cilën e ka lejuar drejtori i përgjithshëm Mehmet Koç”, deklaroi Pllum Kuqi.

“Kablloja nga depoisti Agron Nushi është sjellë nga Prishtina direkt në vendpunim dhe aty kabllo ka qëndruar ndoshta 10 ditë e papranuar, dhe udhëheqës i punimeve në teren ka qenë Hasan Alija, i cili edhe e ka pranuar materialin”, tha Pllum Kuqi.

Ndërsa dëshmitarët tjerë Agnez Furra dhe Muharrem Hoti, priten të dëgjohen me datën 1 gusht.

Sipas aktakuzës, Ismet Mazreku në cilësinë e shefit të shërbimeve publike në komunën e Malishevës, kishte vepruar në kundërshtim me Ligjin mbi Prokurimin Publik.

Në aktakuzë thuhet se me rastin e inicimit të kërkesës për furnizim me kabllo elektrike të fshatit Gajrak të komunës së Malishevës, dhe menaxhimit të kontratës së prokurimit nga N.T.Sh “Leoni” në vlerë prej 8.727.90 euro, me kabllo me gjatësi prej 410 metra, të cilën kabllo e kishte pranuar dhe e kishte përgatitur raportin e pranimit për furnizim me kabllo elektrike, por nuk vërtetohet që e njëjta është investuar në fshatin Gajrak të komunës së Malishevës.