Komisioni për Buxhet dhe Financa

Dërgohet në Kuvend marrëveshja për projektin e ujërave të zeza në Podujevë

Komisioni për Buxhet dhe Financa ka shqyrtuar ratifikimin e Marrëveshjes për Kredi me Unicredit Bank Austria për projektin e ujërave të zeza në Podujevë, ku i ftuar është edhe ministri i Financave, Bedri Hamza i cili kërkoi votën nga ana e deputetëve për këtë marrëveshje.

Kryetari i këtij komisioni, Lumir Abduxhiku tha se e ka mbështetjen e tij pasi ky është një projekt kapital.

Anëtari i këtij komisioni nga AAK-ja, Blerim Kuçi, kërkoi nga ministri Hamza që procedurat e këtyre marrëveshjeve të thjeshtësohen dhe të mos zgjasin.

“Është hera e parë për një kredi te tillë, duhet me shiku me kujdes sepse kjo kredi është dhënë në 2016 e tek tash po përfundojnë procedurat. Ministër a mundemi me shpejtu tek të tjerat që në momentin që bëhen kreditë të fillojnë të implentohen. Ju kisha lut që protokolli qe na dërgoni me i qenë më i thjeshtë por këto janë procedura të rënda dhe të  pakuptimta”, tha Kuçi.

Ndërsa, Hamza iu përgjigj se komunat kur e kanë fituar kredinë në vitin 2016 kanë bërë gabime në procedura.

“Për të qenë përfitues të kësaj kredie komuna duhet t’i përmbushi dy kushte ligjore: Me i pas raportimet e auditimit të mira, dhe mos me i pas me shume se 40% të hyrat në borxh, dhe shumica e komunave kanë gabu në këtë projekt, dhe është duhur të nisim ridizajnimin prej fillimit për këtë marrëveshje. Sa i përket procedurave ne së shpejti në këtë komision do të kërkojmë kërkojmë ndryshimin e ligjit për borxhet publike”, tha Hamza.

Megjithatë, kjo marrëveshje është dërguar në Kuvend për votim e për të cilën duhen 2/3 të votave të deputetëve.