Dërgohet në Kuvend draft-rezoluta për dënimin e gjenocidit serb

Kuvendi i Kosovës do ta ketë në dorë një Projekt-Rezolutë lidhur me gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës në Kosovë.

Kjo projekt-rezolutë u dërgua në Kuvend nga Komisioni Ad-hoc i Kuvendit.

Aty përveç që shqyrtuan disa nocione përmbajtësore, edhe idea e Kryeparlamentarit, Kadri Veseli për krijimin e një Tribunali Ndërkombëtar zuri vend në komision.

Anëtari i këtij komisioni nga VV si dhe përpilues i rezolutës, Sami Kurteshi tha se duhet të caktohen saktë shifrat e masakrave dhe personave të vrarë gjatë luftës.

“Dikund kam hasur në  12 mijë shqiptar, në të tjera kam rastis në disa shifra 10 mijë disa 15 mijë. Po ashtu edhe masakra dikun thuhet 274 dhe mendoj se të dhënat duhet të jenë te sakta”, tha Kurteshi.

Ai shtoi se deri më tani asnjë gjykatë ne vend nuk e ka dënuar ndonjë person “ku ka  konstatuar se ka bërë krim gjenocidi”.

Kurteshi po ashtu tha se me idenë e Veselit që të themelohet Tribunali po zbehet puna e komisionit.

“Mendoj se me veprimin e djeshëm është degradu puna jonë si komision”, shtoi ai.

E për këtë replikë pati, kryetari i komisionit nga Nisma, Bilall Sherifi, ku tha se puna e komisioni dhe krijimi i tribunalit janë çështje të ndara dhe se i ndihmojnë njëra-tjetrës.

“Nuk duhet të shihet si pengesë idea e tribunalit por mendoj se rezoluta është vetëm një vijë lidhëse. Ta bëjmë këtë rezolutë, pastaj hapat e tjërë, gjykatat e Kosovës duhet të veprojnë vetëm dhe të veprojnë. Kushdo që dëshiron me ngrit tribunal le ta ngritë ”, tha Sherifi duke kërkuar që ta shohin iniciativën e Veselit  si të përputhshme me rezolutën.

Ndërsa, anëtari nga AAK në këtë komision, Muharrem nitaj kërkoi që të ndryshohen nocionet si shkatërrimi dhe ekzodi.

“Përkufizim gjenocid është shfarosje, dmth fjala është per zhdukjen e farës , por nëse e lejme shkatërrojmë nuk e kemi gjetë fjalën e duhur. Asgjësim duhet të zëvendësohet me shfarosje”, tha Nitaj duke shtuar se lista e masakrave në Kosovë duhet te ketë rënditjen në bazë të datave.

Kurse deputetja,  Duda Balje kërkoi që  në tekst të përfshihen edhe komunitetet tjera viktima të luftës, por u kundërshtua nga Sami Kurteshi pasi sipas tij gjenocidi ka pasur për qëllim asgjësimin e popullit kosovar.

“Unë kam një propozim. Në titull e kemi projekt propozim… në momentin kur ka ndodhë gjenocidi nuk kanë qenë vetëm shqiptarë. 95 për qind kanë qenë shqiptarë duhet me përmendë. Me përmend në një fjalë që shumica e popullit shqiptar me u përmend në një pjesë. Edhe në Bosnjë kanë bë njëjtë”, tha ajo.

Ndërsa Kurteshi tha se ka pjesërisht të drejtë.

“Vërejtja është pjesërisht e drejtë. Sa i përket definicionit të krimit të luftës po por sa i përket definicionit për gjenocid nuk është e drejtë sepse ka qenë tendencë për zhbërjen e gjenit të njëjtë. Kemi të bëjmë me përbërje të njëjtë biologjike të një grupi të caktuar”, tha Kurteshi.