Kuvendi i Kosovës

Deputetja Pacolli dhe ministri Tahiri akuzojnë njëri tjetrin për ‘manipulim të qytetarëve’

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli Dalipi, tha se Ministri Abelard Tahiri ka manipuluar me publikun në deklaratën që “prokurori mund të filloj hetimin dhe verifikimin e pasurisë pa pasur pra aktgjykim te formës së prerë.

Ajo kërkoi nga ministri të tregoj nenin ku thuhet kjo pjesë.

“Ju manipuluat me publikun kur thatë se prokurori mund të filloj hetimin dhe verifikimin e pasurisë pa pasur pra aktgjykim të formës së prerë. Kjo nuk shkruan askund në ligj duhet të na tregoni nenin ku shkruan”, tha Pacolli.

Pacolli tha se nëse kjo qeveri e ka për qëllim që të bëjë siç duhet reformat evropiane.

“Nuk e adreson kushtin themelor, konfiskimin e pasurisë të personave zyrtarë të cilët e kanë fituar në mënyrë të paligjshme gjatë gjithë këtyre viteve edhe pse nuk dyshohen për vepër penale. Ky projektligj mundëson konfiskimin e pasurisë së paligjshme vetëm kur ka vepër penale”, tha Pacolli.

Sipas saj nëse ky projektligj votohet, kritika nga BE do të përsëritet në raportin i cili do të vije vitin e ardhshëm.

“Ky ligj nuk duhet të votohet. Kërkojmë një ligj i cili mundëson konfiskimin e pasurisë së paligjshme edhe kur nuk ka vepër penale”, tha ajo.

E ministri Abelard Tahiri, i tha deputetes se “ose nuk po e kupton mirë ose dëshiron me deviju qëllimin e projektligjit”.

“Neni 17 e qartëson, qartë e ndan hetimin për konfiskim të pasurisë nga vepra penale. Nuk lexohet ligji nene-nene e pjesë-pjesë por komplet”, tha Tahiri.

Ai ftoi Pacollin që mos të manipuloj me qytetarët. Sipas tij ky projektligj është në linjë me BE dhe ka siguruar që do të përshëndetet nga Këshilli Europain nëse miratohet ky projektligj.

“Në momentin që ne do ta aprovojmë të jeni të sigurt se Parlamenti i Kosovës do të përshëndetet edhe nga KE për aprovimin e kësaj politike të jeni të sigurt për këtë”, përfundoi Tahiri.