Arbërie Nagavci - Foto: KALLXO.com

Deputetja Kërkon Sqarim për Anulimin e Konkursit për Shkencëtarin e Vitit

Deputetja e Lëvizjes Vetëvetendosje, Arbërie Nagavci ka drejtuar një pyetje parlamentare për Ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi lidhur me anulimin e konkursit, ‘Shkencëtar i Vitit’ dhe ‘Shkencëtar i Ri i Vitit’.

KALLXO.com kishte raportuar për anulimin e konkursit që parashihej të shpërblente shkencëtarët më të arrirë të vitit 2017 që sipas Ministrit ishte bërë për shkak të një shkelje ligjore të ministrisë së kaluar.

Pas këtij raportimi dhe reagimit të shkencëtarëve që kishin aplikuar për këto çmime, deputetja Nagavci përmes Facebook-ut njoftoi për pyetjen parlamentare që i’a ka drejtuar ministrit.

“Në vendin tonë, kur përkundër kushteve të vështira, sistemit të arsimit që lë mjaft për të dëshiruar dhe shumë diplomave e titujve që shpesh janë vetëm një numër më shumë, ngushëllimi i vetëm janë të rinjët e të rejat që tejkalojnë sfidat e arrinë rezultate në vend dhe jasht tij, janë shkencëtarët e shkencëtaret e reja, artistët e sportistët, djem e vajza që kalojnë barrierat, ja dalin me forcat e veta e na bëjnë krenarë gjithë neve”, shkroi Nagavci.

Ajo ka bërë thirrje për të mos t’i zhgënjyer shkencëtarët e arrirë të Kosovës.

“Asnjë nga aplikuesit nuk duhet të demotivohet, por përkundrazi të punoi dhe më shumë që të bëjë këtë vend më të mirë.Fundja ata janë e do të mbeten shkencëtarë e studiues pa marrë parasyshë se kush janë ministrat e zëvendësministrat e rradhës që edhe pse shumë në numër po mbeten pak në bërjen e punëve mirë e të mira”, shkroi Nagavci.

KALLXO.com shkroi edhe për reagimin e njërit nga aplikantëve për këto konkurse, i cili e konsideroi vendim absurd anulimin.

http://kallxo.com/anulimi-konkursit-shkencetari-vitit-ngjall-reagime/