Deputetja i kërkon qeverisë t’i ndajë nga 15 mijë euro për ata që vdiqën në vendet e punës

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha Kollçaku ka një kërkesë për Qeverinë e Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Kollçaku ka kërkuar nga ekzekutivi që të ndajë nga 15 mijë euro edhe për punëtorët që kanë vdekur në vendet e punës.

“Qeveria në emër të barazisë sociale (inekzistente), me urgjencë të merr vendim për ndarje të ndihmës materiale (nga 15,000 euro), për të gjitha familjet e punëtorëve që humbën jetën në vend të punës, si pasojë e mosrespektimit të Ligjit për siguri dhe shëndet në punë nga ana e punëdhënësve”, ka shkruar Kollçaku.

Në mbledhjen e 29 janarit, Qeveria e Kosovës ka ndarë 15 mijë euro për familjen e ish-zëvendësministrit të diasporës, Arian Daci, i cili ka vdekur tragjikisht nga një ortek më 26 janar në Brezovicë.