Deputetja Haxhiu: Në mesin e gjyqtarëve serbë të dekretuar ka edhe të dyshimtë me të kaluar kriminale

Kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Mandate dhe Imunitete dhe deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu, ka thënë se në mesin e gjyqtarëve serbë të dekretuar në veriun e Kosovës, ka të dyshimtë me të kaluar kriminale.

Ajo këto komente i bëri gjatë tryezës së diskutimit të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike me temën ‘’Integrimi i Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Serb të Veriut në Sistemin e Drejtësisë së Kosovës’’.

Haxhiu ka thënë se ka informacione që Serbia i ka caktuar emrat se cilët gjyqtarë duhet të dekretohen në sistemin e Drejtësisë në veriun e Kosovës.

‘’Sipas informacioneve që kemi Serbia për integrimin e gjyqtarëve ata i kanë caktu emrat se kush duhet të jenë në krye të institucioneve në veri. Dhe në mesin e këtyre ka persona që kanë të kaluar të dyshimtë. Si për shembull rasti i Vasfije Krasniqit, ku doli se njëri nga dhunuesit e saj, deri në vitin 2017 ishte polic në pjesën veriore. Nuk ka pasur verifikim të këtyre njerëzve që janë instalu në institucionet tona’’, deklaroi Haxhiu.

Ajo gjithashtu tha se gjatë dekretimit të gjyqtarëve ka pasur standarde të dyfishta, sepse ata të komunitetit serb nuk kanë nënshkruar asnjë dokument nën logon e Kosovës.

‘’ Ndërsa dekretimi nuk ka qenë i njëjtë për gjyqtarët serb dhe ata shqiptarë. Unë kam kërkuar qasje në dokumentet publike dhe i kam krahasu një gjyqtar shqiptar dhe një serb, dhe këta të fundit nuk kanë nënshkruar asnjë dokument nën logon e Republikës së Kosovës. Sa ishte ministre Edita Tahiri, është nënshkruar një marrëveshje me Serbinë, që njeh aktgjykimet e gjykatave që kanë vepruar ilegalisht në Kosovë. Kjo është goditje shumëdimensionale për Republikën e Kosovës’’, ka thënë ajo. Haxhiu gjithashtu e ka përmendur çështjen e Gjykatës së Apelit në Mitrovicë, ku tha se ‘sipas legjislacionit Gjykata e Apelit është një dhe me seli në Prishtinë. Pse duhet që qytetarët e Pejës ose Gjakovës të vijnë tek Gjykata në Prishtinë, ndërsa të jetë standard i dyfishtë për qytetarët serb që jetojnë në veri’.

Ndërsa në anën tjetër Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri përmendi shtrirjen e sistemit të Drejtësisë në katër komunat me shumicë serbe në veri, duke thënë se janë bërë hapa të rëndësishëm.

‘’ Ajo që është e rëndësishme është që edhe sistemi jonë gjyqësor ballafaqohet me shumë sfida që shumë prej tyre janë reale mirëpo me disa prej tyre edhe nuk pajtohem. Republika e Kosovës e ka të shtrirë sistemin e Drejtësisë në katër komunat e veriut. Nëpërmjet dialogut ne kemi arritur t’i integrojmë edhe gjyqtarët të komunitetit serb. Sot ne kemi bërë hapa jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe mjaft përparimtarë sa i përket punës së këtyre gjykatave’’, tha Tahiri.

Ai përmendi edhe çështjen e Gjykatës së Apelit në veri duke thënë se Kosova këtë sistem i cili është quajtur ‘’divizioni’’ i Apelit, deri në vitin 2013 e ka pasur te decentralizuar.

‘’ Ndërsa sa i përket divizionit të Apelit, deri në vitin 2013 Kosova e ka pasur të decentralizuar këtë sistem, ka qenë Gjykata e Qarkut edhe Mitrovica e ka pasur një gjykatë të tillë. Edhe sot kërkohet që çështja e Apelit të rishikohet sepse nuk ka pasur sukses’’, ka thënë ministri Tahiri.

Pjesë e këtij paneli të diskutimit ishin edhe Nehat Idrizi Kryetar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Blerim Isufaj Kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Katarina Grbeska Këshilltare ligjore e BE-së në Kosovë dhe Pranvera Reqica Zëvendës Shefe e Projektit JSSP të USAID-it në Kosovë.