Arbërie Nagavci - Foto: KALLXO.com

Deputetja e VV-së kritikon emërimin e Shpend Maxhunit në krye të AKI-së

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka kritikuar emërimin e drejtorit të derisotëm të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhunit, në pozitës e shefit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI).

Nagavci, gjatë seancës në Kuvend ku po diskutohet për Raportin e Progresit të Komisionit Europian, tha se Presidenti Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, kanë zgjedhur ta emërojnë në krye të një institucioni si AKi një person i cili, sipas saj, do të duhej të shkarkohej pas aferës së arrestimit dhe deportimit misterioz të gjashtë shtetasve turq tri javë më parë.

“Nga një person të cilit i kërkohej shkarkimi, ai avancon në pozitë duke u caktuar në pozitë në një institucion të rëndëdsishëm si AKI”, tha Nagavci.

Madje ajo tha se vetë Maxhuni nuk e ka kaluar procesin e verifikimit.

“Kjo nuk është rrugë drejt BE-së as mënyra se si të përmirësohet jeta e qytetarëve”, tha Nagavci.

Shpend Maxhuni ishte emëruar drejtor i Policisë në vitin 2011, ndërsa është pjesë e Policisë së Kosovës që nga viti 1999.

Para Maxhunit, në postin e shefit të AKI-së ishte Driton Gashi i cili dha dorëheqja pas kërkesës së Kryeministrit Haradinajt për ta liruar detyrën pas aferës së deportimit misterioz të 6 shtetasve turq.