Safete Hadërgjonaj -deputete e PDK-së

Deputetja e PDK-së: Partitë opozitare po dalin si engjëj, por s’kanë lë gjë pa bërë

Deputetja e PDK-së, Safete Hadërgjonaj ka kritikuar ashpër partitë opozitare LDK-në dhe LVV-në për thirrje të seancave të jashtëzakonshme.

Hadërgjonaj ka thënë se seancat po thirren kot dhe me propagandë.

“Këta kanë thirr seanca që kanë thelluar edhe më tutje ndarjen e faktorit shqiptar që askujt nuk i shkon përshtati, pos atyre që duan ta shkatërrojnë shtetin. Po bëhet propagandë, mirë që kjo seancë nuk është mbajtur atë ditë, por është shtyrë për sot”, tha ajo.

Deputetja shtoi se LDK-ja sikur do të largohet nga llogaridhënia sa ka qenë në qeveri.

“Dy partitë opozitare na dalin si engjëj, por nuk lënë gjë pa bërë vetë. LDK sikur do të largohet nga llogaridhënia pasi një vit e gjysmë ka vendosur vet si t`i ndajë mjetet. Këto shpenzime nuk po ndryshojnë shumë nga koha e LDK-së. Ndoshta ai e di vet si ka abuzuar, rregullat janë të njëjta”, tha ajo.

Hadërgjonaj ka shtuar se PDK nuk do të donte që në këtë mënyrë të bëhen shpenzimet e shtetit.

“Ne PDK nuk do të donim të harxhohen kështu shpenzimet e paparashikuara edhe në këtë qeveri, do të donim të adresohet më mirë kjo çështje. Ne si PDK jemi të interesuar dhe të angazhuar që çdo cent të shpenzohet me kujdes”, theksoi ajo.

Kuvendi i Kosovës, po zhvillon debat parlamentar lidhur me vendimet e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e mjeteve financiare nga shpenzimet e paparashikuara.