Xhevahire Izmaku, Deputete, PDK

Deputetja e PDK-së e shqetësuar që ‘krejt bota e mori vesh’ për dhunimin e 16 vjeçares në Drenas

Deputetja e PDK-së Xhevahire Izmaku gjatë fjalës së saj në Kuvendin e Kosovës ka kërkuar që rastet e tilla të adresohen tek organet kompetente dhe të mos humbet besimi tek organet e Policisë.

Edhe pse sipas saj, ‘ky abuzim ka ndodhur nga njerëz që do të duhej ta mbronin këtë vajzë’, Izmaku theksoi se nuk duhet përgjithësuar sepse në polici ka vajza dhe djem të shkëlqyeshëm.

Për deputeten, shqetësimi më i madh ishte se ky rast u bë i ditur për publikun vendas dhe ndërkombëtar.

“Ndjehem keq edhe si nënë edhe si grua duke e ditur faktin e mentalitetit tonë që na dimë me i keqpërdorë këto fatkeqësi edhe iu lëmë nam atyre familjeve duke u mundu me ju ndihmu, pra kush se murr vesh, krejt bota e murr vesh.”, ka thënë deputetja e PDK-së.

Ajo tutje deklaroi se ka ‘informacionet edhe më të rënda në shtete tjera që ndodhin e që i mbulojnë, e na i shohim nëpër portale’.

Xhevahire Izmaku tregoi që këtë rast e ka parë të publikuar edhe në mediumet franceze, e që sipas saj, ‘kanë skandale 100 herë më të mëdha’ por tani këtë rast do ta përdorin dhe do t’ia faturojnë Kosovës si shtet.

“Kemi të bëjmë me një rast por jo me një fenomen. Nëpër vende rurale ku nuk ka edukim të nënave thjeshtë t’i mësojmë, kemi organizata të ndryshme edhe qeverinë e ministritë përkatëse që t’i edukojnë nënat se si t’i edukojnë vajzat e tyre në moshën minorene.”, ka shtuar tutje deputetja Izmaku.

Kuvendi i Kosovës sot zhvilloi debat parlamentar në lidhje me rastin e ngacmimit seksual, përdhunimit seksual dhe abortit të paligjshëm ndaj të miturës dhe përgjegjësisë institucionale të Qeverisë së Kosovës.