Gjykimi i zyrtarëve të AKP-së (Arkiv)- Foto: KALLXO.com

Deputeti Osmani nesër në gjyq për privatizimin e fabrikës në Podujevë

Deputeti Naser Osmani së bashku me të akuzuarit e tjerë pritet që të dalin nesër para gjykatës në lidhje me privatizimin e fabrikës “FAN” në Podujevë.

Së bashku me Naser Osmanin të akuzuar janë edhe Bahri Shabani, Shkëlzen Lluka, Naim Avdiu, Melita Ymeraga, Ardian Kelmendi e Agim Deshishku.

Në këtë rast gjyqësor, Naser Osmani bashkë me personat e tjerë po gjykohen në lidhje me privatizimin e fabrikës “Fan” në Podujevë.

Përveç Agim Deshishkut, që është blerës i ndërmarrjes “FAN” në Podujevë, të gjithë të akuzuarit e tjerë ishin zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit në kohën për të cilën akuzohen.

Gjatë seancës së kaluar mbrojtjen e ka dhënë e akuzuara Melita Ymeraga si dhe i akuzuari tjetër Ardian Kelmendi është përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të tij.

Kelmendi gjatë kësaj seance pritet që të vazhdojë të përgjigjet në pyetjet e prokurores e më pas mbrojtësve të të akuzuarve të tjerë, vetë të akuzuarve si dhe trupit gjykues.

Sipas aktakuzës Naser Osmani e Bahri Shabani ngarkohen se në bashkëkryerje me persona tjerë zyrtarë dhe duke shfrytëzuar detyrën zyrtare në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, nuk e kanë përmbushur këtë detyrë duke ia mundësuar përfitimin e kundërligjshëm pasuror vetes ose tjetrit, përkatësisht blerësit të Ndërmarrjes së Re “FAN-Podujevë”, Sh.P.K. të pandehurit Agim Deshishku në vlerën rreth 5.400.000.00 euro.

Blerësi i kësaj fabrike sipas kontratës me AKP-në duhej të bënte investime në të.

Osmani e Shabani akuzohen edhe se si anëtarë të Bordit Drejtues të AKP-së kanë vendosur dhe votuar “për” që investimet e bëra jashtë hapësirave të ndërmarrjes të pranohen si investime brenda saj, duke liruar Ndërmarrjen e Re “FAN-Podujevë” nga monitorimi i AKP-së dhe kushtet e Marrëveshjes së Zotimeve.

Me këto veprime prokuroria pretendon se Osmani e Shabani dyshohen se kanë kryer keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Edhe Shkëlzen Lluka, Naim Avdiu, Melita Ymeraga, dhe Ardian Kelmendi  në cilësinë e personave zyrtarë në Agjencinë Kosovare të Privatizimit akuzohen si Osmani e Shabani në lidhje me përfitimin e paligjshëm të vetes ose blerësit të fabrikës “FAN” të Podujevës.

Lluka e Avdiu akuzohen se nuk ndërmorën masa edhe për zbatimin e  kontratës mes AKP-së e blerësit të fabrikës “FAN”.

Melita Ymeraga dhe Ardian Kelmendi ishin përgjegjës për monitorimin e investimeve të blerësit të ndërmarrjes “FAN”, ndërsa ata ngarkohen se “nuk kanë kontrolluar dhe monitoruar investimet e raportuara nga investitori, nuk kanë verifikuar deklarimet për investime, nuk kanë bërë monitorimin fizik të investimeve kapitale, verifikimin e dokumentacionit financiar të investimeve kapitale dhe zotimeve për punësim”.

Agim Deshishku, blerësi i fabrikës “FAN” akuzohet se mashtroi zyrtarët e AKP-së me paraqitje të rreme ose fshehje të fakteve, duke i shtyrë ata të veprojnë në dëm të pasurisë dhe punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje.

Deshishku akuzohet për mashtrim, legalizim të përmbajtjes së rreme dhe shmangie nga tatimi.

Ky rast është në mesin e rasteve të shënjestruara për liberalizim të vizave.