Deputeti me aktakuzë i bashkohet Nismës së Fatmir Limajt

Nisma Socialdemokrate, përmes një njoftimi për medie ka deklaruar se kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me kryetarin e Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha dhe kryetarin e Partisë së Ashkalive për Integrim, Etem Arifi.

“Më anë të kësaj marrëveshje deputetët Veton Berisha dhe Etem Arifi pajtohen që të bashkëngjiten dhe veprojnë në kuadër të Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate. Kësisoj, numri i Grupit Parlamentar të Nismës nga gjashtë rritet në tetë”, thuhet në njoftim.

Këta dy deputet pas nënshkrimit të marrëveshjes janë pritur në Grupin Parlamentar të Nismës.

Shefi i GP të Nismës, u zotua se do t’ua jap gjithë hapësirën e nevojshme deputetëve Berisha dhe Arifi në Kuvend dhe Komisione Parlamentare.

Por, KALLXO.com, ka shkruar se deputeti Arifi ka aktakuzë për veprën penale të mashtrimit me subvencione dhe për ushtrim të ndikimit.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Etem Arifi ka shfrytëzuar pozitën e tij të deputetit për të ndikuar për dhënien e subvencioneve për OJQ-në “Zëri i Ashkalinjëve për Integrim”, duke siguruar në këtë mënyrë shumën prej 25.646,00€.

Sipas PSRK-së, këto para nuk janë përdorur për qëllime për të cilat janë dhënë por janë përvetësuar nga të pandehurit Etem Arifi dhe B.G. dhe për persona të tjerë.

KALLXO.com, ka tentuar të marr një koment nga shefi i GP të Nisma Socialdemokrate Bilall Sherifi, por deputeti nuk ka pasur qasje. Ndërkaq, Enver Hoti, deputet në Nisma nuk ka dashur të komentoj rreth kësaj marrëveshje duke thënë se është dhënë qëndrimi zyrtar dhe e ka mbyllur telefonin.

Ndryshe, kryetari i Partisë së Ashkalinjve për Integrim, Etem Arifi është dënuar nga gjykata e shkallës së parë me dy vjet burg për mashtrim me subvencione, dënim ky të cilin nuk do ta vuajnë në qoftë se brenda afatit kohor prej 3 vjetësh nuk kryejnë ndonjë vepër tjetër penale. Tekstin për dënimin e Arifit mund ta lexoni në linkun më poshtë:

https://kallxo.com/denohet-deputeti/