Deputeti i PSD-së merr kryesimin e Komisionit Parlamentar për AKI

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga PSD, Faton Topalli, ka pranuar sot detyrën si kryetar i Komisionit të AKI-së.

Këtë detyrë, Topalli e ka pranuar nga zëvendëskryetarja e komisionit, Ganimete Musliu.

Para dorëzimit të kësaj detyre, deputetja Musliu ka falënderuar anëtarët e komisionit për bashkëpunimin që kanë pasur në këtë komision, duke i uruar mirëseardhje kryetarit të ri.

“Në cilësinë e zëvendëskryetares së  komisionit po e hap mbledhjen për t’i dorëzuar detyrën e kryetarit të komisionit, deputetit Faton Topalli. Ju falënderoj për bashkëpunimin e deritanishëm, pasi që nuk ka qenë një periudhë e lehtë sepse kemi pasur sfida”, ka thënë Musliu.

“I uroj mirëseardhje kryetarit të ri të komisionit duke uruar se do ta ruajë frymën e mirëfilltë në këtë komision”, shtoi ajo.

Pas marrjes së detyrës si kryetar i komisionit për AKI, Topalli ka thënë para mediave se do të angazhohet shumë të jap kontributin e tij në këtë komision.

“Sigurisht që është një komision i cili merret me çështje të cilat janë të rëndësishme për vendin. Unë shpresoj shumë dhe do të angazhohem shumë që ta jap kontributin tim në mënyrë që të kemi bashkëpunim të ngushtë në mënyrë që të kryejmë punë të suksesshme”, ka thënë Topalli.

Konflikti VV-PSD po e mundëson mbikëqyrjen e AKI-së vetëm nga pushtetarët