Adem Hodza dhe Goran Rakiq - Foto: Facebook/AdemHodza (Arkiv)

Deputeti i Listës Serbe me aktakuzë për kanosje ndaj ish-zëvendësministrit

Deputeti i Listës Serbe Adem Hodza, akuzohet nga Gjykata Themelore në Prizren se me datën 26 nëntor 2017 ka sulmuar fizikisht Fatir Berzatin, i cili në atë kohë ishte zëvendësministër i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.

Sipas aktakuzës së Gjykatës, Adem Hodza në selinë e Partisë së Bashkuar Gorane (JPG), në Dragash, derisa i dëmtuari Fatir Berzati me vëllain e tij Berzat Berzati ishin duke shkuar në selinë e partisë, ku fillimisht e kishin përshëndetur kryetarin e partisë, tani të pandehurin Adem Hodza, ku ky i fundit i është drejtuar me fjalët ‘Ti nuk meriton të më përshëndetsësh mua’.

Ndërsa avokati i të akuzuarit Hodza, Hajrip Krasniqi, në pyetjen e KALLXO.com nëpërmjet telefonit, nuk ka pranuar të deklarohet në lidhje me këtë çështje.

‘’Nuk mundem me të dhënë informata dhe as deklaratë në lidhje më klientin tim, në Kosovë ka humbur besimi dhe nuk mund të flasë përmes telefonit pa u siguruar se a jeni ju vërtetë gazetar’’, ka deklaruar Krasniqi.

Sipas aktakuzës, gjatë bisedës i pandehuri Adem Hodza është ngritur nga ulësja dhe i është drejtuar tashmë të dëmtuarit Berzat Berzati: “Ti dil në rrugë sepse nuk je anëtar i partisë dhe nuk ke të drejtë të qëndrosh aty”.

Sipas aktakuzës, i dëmtuari Berzati duke dalur jashtë, goditet me shqelma mbrapa nga i pandehuri Hodza dhe më pas ai e godet me grushte dhe shuplaka edhe të dëmtuarin Fatir Berzati.

Me këtë, Hodza akuzohet se ka kryer vepër penale, me datën, kohën dhe vendin e përshkruar si më lartë.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari seriozisht ka kanosur të dëmtuarin Fatir dhe Berzat Berzati.

Sipas aktakuzës, kanosja bëhet në atë mënyrë që u drejtohet me fjalët: “Ty dhe vëllain tënd kam me ju zhduk, ju keni me qenë shembull për të tjerët, familja ime është e rrezikshme” dhe kishte vazhduar më tutje me fjalët “Ti dhe vëllai yt do ta mbani mend se kush është Adem Hodza”, gjë që sipas prokurorisë tek të dëmtuarit ka shkaktuar ndjenjën e frikës, ankthit dhe pasigurisë.

Fatir Berzati ka qenë zëvendës ministër i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, nga data 27 shtator 2017 deri me datën 6 dhjetor po të vitit 2017.