Deputeti i LDK-së: Askush nuk ka të drejtë të luajë me miqësinë me Shtetet e Bashkuara

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Ismet Beqiri, ka reaguar pas paralajmërimit të ShBA-së për mundësinë e ‘dëmtimit’ të raporteve me Kosovën për shkak të mosheqjes së taksës ndaj Serbisë.

Beqiri përmes një postimi në ‘Facebook’ thotë se askush nuk ka të drejtë të luajë me miqësinë dhe partneritetin me ShBA, që siç e quan ai “shtetin që na shpëtoi nga zhbërja”.

“Askush nuk ka të drejtë të luaj me miqësinë dhe partneritetin me SHBA, shtetin që na shpëtoi nga zhbërja. Me këta që po qeverisin po rrezikohet qenia jonë. Qytetarët nuk janë me ju. Kosova veq me qytetarët e saj dhe SHBA-të mund të ec përpara”, thuhet në postimin e deputetit.

Ndërkaq, sot ambasadori amerikan në Kosovë, Philip S Kosnnett, i dorëzoi presidentit të vendit, Hashim Thaçi, letrën e nënshkruar nga Mattthew Palmer, zëvendësasistent i Sekretarit të Shtetit, zëvendësasistentes së Sekretarit të Mbrojtjes, Laura Cooper dhe zëvendësdrejtorit për Çështje të Europës në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, John Erath.

“Është e pabesueshme që pas gjithë çfarë kemi bërë bashkë, Kosova e vlerëson miqësinë tonë aq ulët sa të injorojë këshillat tona. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë të gatshme të ndihmojnë Kosovën për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse e normalizuese me Serbinë, e cila do të përqendrohej në njohje reciproke, gjë që do të ishte e implementueshme, jetëgjatë dhe në të mirë të të dyja palëve. Në njëzet vitet e fundit, ky ka qenë një qëllim i paarritshëm. Edhe pse ende e vështirë, është një rrugë që duhet ndërmarrë, në mënyrë që të arrijmë në sigurinë dhe prosperitetin që sjell e ardhmja. Qëllimi ynë është që të shohin Serbinë dhe gjithashtu Kosovën, të veprojnë me përgjegjësi dhe që t’i kthehen dialogut. Hapi i parë drejt këtij qëllimi do të ishte pezullimi i taksës. Derisa nuk e bëni një gjë të tillë, ne nuk mund të kemi raportet e fuqishme që kishim më parë me ju” , është thënë mes tjerash në letër dorëzuar presidentit.

https://kallxo.com/paralajmerimi-i-shba-se-nese-nuk-e-pezulloni-taksen-nuk-mund-te-kemi-raportet-qe-kishim-me-pare/

Ndryshe, Kosova po përballet më presionin ndërkombëtar për heqjen e taksës 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë, por kundër kësaj është kryeministri Haradinaj, i cili po premton heqjen vetëm pasi Serbia ta njohë Kosovën.