Deputeti i AAK-së konteston sëmundjen e Isa Mustafës

Deputetit të AAK-së, Shkumbin Demaliaj, i është ndërprerë fjala gjatë interpelancës së sotme për 53 milionë eurot të cilat qeveria e Ramush Haradinajt ia ka dhënë kompanisë Bechtel- Enka në emër të një gjobe për vonesat në pagesa për autostradën Prishtinë- Hani i Elezit.

Demaliaj ka dalë në foltoren e Kuvendit për t’i akuzuar deputetët e opozitës, së pari me “respektin” që disa deputetë thanë se e kanë për kryeministrin Ramush Haradinaj.

Sipas Demaliajt, Ramush Haradinaj nuk ka nevojë për respektin e deputetëve opozitarë.

“S’ka nevojë Ramush Haradinaj për respektin e askujt për atë që e ka bërë në të kaluarën sepse atë e ka bërë me dëshirë për vendin e vet, edhe në atë aspektin tjetër që sot Ramush Haradinaj është kryeministër dhe ju pritshmëritë e juve i keni pritë por nuk ndodhi ashtu dhe për atë s’kemi nevojë për pritjet e juve në opozitë”, tha Demaliaj.

“Me pas dashtë me e vlerësu ka qenë dashtë me e votu si kryeministër dhe m’i thanë “puno”. Por kur e keni kudnërshtu si kryeministër nuk keni të drejtë me folë për vlerat e Ramush Haradinajt”, shtoi ai.

Deputeti u shpreh se me dy përfaqësues të AAK-së në qeverinë e Kosovës “nuk mundet mu shty kërkush”.

“Konsideroj se me Ramush Haradinajn e Pal Lekajn s’mundet mu shty kërkush. Ne kemi pjesëmarrje të vogël në qeveri. Nuk po flas mu shty për forcë fizike por për forcë të mendjes edhe puna që bëhet në qeveri”, tha ai.

Shkumbin Demaliaj, AAK

Duke folur për ish- kryeministrin Isa Mustafa, Shkumbin Demaliaj e akuzoi atë për largim nga Kosova “me aeroplan privat” ndërsa kontesoi raportimet se ai është i sëmurë.

“Kryeministri Mustafa kurrë nuk ka qenë i sëmurë, përpos ka mujtë me pas diçka. Ka shku në Gjermani me aeroplan privat, ka pagu 50 mijë euro, është tërhequr me krejt familjen, për shkak të kontratave të këqija që i ka bërë ky ministër këtu (Lutfi Zharku). Ka nënshkru kontrata në ministrinë e tij në orën 23”, tha Shkumbin Demaliaj.

“Kur ka marrë vesh para seancës së OSHP-së më 18 janar, më 14 janar u smu Isa Mustafa. Ma i miri deklarim deri më tani ka qenë i z. Besnik berisha që ka thënë (është i sëmurë) prej gripit, sepse isa Mustafa është i vjetër dhe mund t’i bjerë gripi, por prej depresionit dhe presionit të keqmenaxhimit…”, u shpreh ai.

Por demaliaj nuk u la të vazhdojë më tej nga drejtuesi i seancës, Kujtim Shala.

“S’keni më kohë, GP i AAK nuk ka më kohë. Unë po e drejtoj interpelancën në përputhje me rregulloren. Kërkoj të respektohet gjuha parlamentare. Në rast se kryeministri, ndonjë ministër përdor të njëjtën gjuhë unë do ta ndërpres seancën”, tha Shala.