Deputeti Haxhiu kritikon Komunën e Prishtinës për mungesën e shtatores së Adem Jasharit

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu, ka reaguar ndaj vendimit të kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, për të përuruar sheshin “Adem Jashari” pa bustin e komandantit legjendar të UÇK-së.

Këtë vendi, Haxhiu e ka quajtur skandaloz në një postim në profilin e tij në “Facebook”.

“Ky nuk është veprim vetëm skandaloz por edhe i turpshëm i udhëheqjes komunale të Prishtinës, për të përuruar sheshin “Adem Jashari” me përmendore të komunizmit në mes të tij, ndërsa shtatorja e Adem Jasharit nuk ndodhet askund”, ka shkruar Haxhiu.

Tutje, ai është shprehur se për ta ndaluar këtë veprim nevojitet edhe mbrojtja me ligj e vlerave të luftës së UÇK-së.

“Për të ndalur këtë shund nuk mjafton vetëm reagimi i qytetarëve dhe i shoqatave të dalura nga lufta e UÇK-së, por e riaktualizon nevojën e domosdoshme për mbrojtjen me ligj të vlerave të luftës së UÇK-së”, ka shkruar deputeti i PDK-së.

KALLXO.com ka kontaktuar dje Komunën e Prishtinës për të marrë informacione nëse në këtë shesh do të vendoset shtatorja e Adem Jashari.

Por, zyrtarë nga Komuna nuk kanë dashur ta komentojnë këtë.

https://kallxo.com/komuna-e-prishtines-nuk-flet-per-shtatoren-e-adem-jasharit-sheshi-perurohet-te-enjten/

Ndërsa sot Komuna e Prishtinës njoftoi se përurimi i sheshit “Adem Jashari” do të bëhet nesër në ora 19:00.