Zona kufitare me Malin e Zi | Foto: KALLXO.com

Deputetët Thonë se Demarkacioni po Shqyrtohet në Komisionin e Gabuar

Në mbledhjen e Komisionit për Punë të Jashtme u vlerësua se është gabim që marrëveshja e demarkacionit dhe me Malin e Zi dhe raporti i komisionit të ri për të po shqyrtohet në Komisionin për Integrime Europiane.

Vjosa Osmani, kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme tha se marrëveshja dhe raporti i komisionit për demarkacionin duhet të shqyrtohen në komisionin që ajo drejton, në mënyrë që të mos dalin probleme në të ardhmen.

“Raporti i kaluar për demarkacionin është lexuar dhe është shqyrtuar në Komisionin për Punë të Jashtme, që desha vetëm të ju njoftoj paraprakisht sidomos juve që merrni pjesë në mbledhje të kryesisë. Kjo çështje duhet të sqarohet sepse nëse tejkalohet komisioni ynë, dalin probleme procedurale, unë nuk e di a është deklaru dikush për këtë çështje, por mediat po thonë ashtu”, tha Osmani.

Të njëjtin mendim e pati edhe anëtari tjetër i këtij komisioni deputeti Visar Ymeri për të cilin është e çuditshme që raporti i demarkacionit të kalojë përmes Komisionit për Integrime Europiane.

“Mua mu ka duk e çuditshme që raportimi i parë i komisionit të ri të themeluar ka qenë te Komisioni i Integrimeve Europiane, e jo këtu. Marrëveshja për demarkacionin është marrëveshje ndërkombëtare dhe nuk ka të bëjë me integrime europiane, unë nuk e di kush është ajo mendje që e ka lidhë demarkacionin me integrime”, tha Ymeri.

Përcaktimi i vijës kufitare me Malin e Zi është njëri nga dy kushtet e mbetura për liberalizim vizash të kosovarëve.

Qeveria e Kosovës të hënën marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi të nënshkruar në Vjenë në gusht të vitit 2015, bashkë me raportin e komisionit të ri për këtë çështje e dërgoi në komisionet parlamentare.