Deputetët të painteresuar për Projektligjin për Diasporën, vetëm 37 prej tyre në sallë

Ka dështuar votimi në lexim të parë i Projektligjit për Diasporën.

Në sallë ishin vetëm 37 deputetë, numër i pamjaftueshëm për të kaluar në lexim te parë ky Projektligj.

Ministri i Diasporës, Dardan Gashi ka dhënë disa prej përgjigjeve që deputetët i adresuan në drejtim të tij.

Ai përmendi edhe kontributet financiare të diasporës për vendin tonë, duke vlerësuar se diaspora ka një vlerë të veçantë për Kosovën.

“Janë 700 mijë pjesëtarë të diasporës nëpër botë të Kosovës. Kontributi i tyre në vit, zyrtarisht, sipas BQK-së, është afër 700 milionë euro prandaj, ne besojmë që është mbi 1 miliard. Prandaj, ky ligj duhet të kontribuojë që fëmijët e tyre të shkollohen në diasporë”, deklaroi Dardan Gashi.

Ministri Gashi foli edhe për Kartonin e Gjelbër për të cilin shumë mërgimtarë paguajnë kur vijnë në pushime në Kosovë.

“Kosova nuk ka asnjë ndikim në heqjen apo mosheqjen e Kartonit të Gjelbër sepse nuk tatimohet makina që ai vozit. Nëse ne vozitim një makinë me tabela të huaja, kur afrohet te kufiri duhet të paguhet ajo shumë. Nuk është ky problem i institucioneve të Kosovës. Sa i përket votimit, nuk është mundësia që përmes këtij ligji të rregullohet çështja e pjesëmarrjes, Por organizimi është jashtëzakonisht i dobët”, tha Gashi.

Tutje, ai kërkoi që të marrë përkrahjen e deputetëve mbi financimin e arsimit plotësues, siç është paraparë në ligjin për diasporën.

“Me Shqipërinë kemi marrëveshje mes dy vendeve sa i përket arsimit plotësues. Jemi në procesin e certifikimit të arsimit plotësues. Është bashkëpunimi në mes dy ministrive të arsimit në mes Shqipërisë dhe Kosovës, deri më tani kemi një bashkëpunim të mirë. Problemi mbetet te financimi dhe nëse ju si deputetë na ndihmoni që të avancojmë arsimimin plotësues ne do kishim me qenë shumë mirënjohës”, deklaroi Gashi.

Ai foli për zonën ekonomike të diasporës por edhe për mundësinë e krijimit të një kanali të veçantë televiziv për mërgimtarët.

“Investime të diasporës në Kosovë ka pasë. Ne si ministri kemi marrë disa vendime dhe një prej tyre është krijimi zonës ekonomike të diasporës në Kosovë. Aspekti i performancës nuk ka qenë i kënaqshëm por juridikisht kemi qenë në probleme. Sa i përket televizionit nuk ka qenë kurrë kërkesë e veçantë. Ka qenë iniciativë, kërkesë e dy vendeve, Kosovës dhe Shqipërisë. Jo të krijohet televizion i ri por një kanal i veçantë në infrastrukturën ekzistuese””, përfundoi ai.