Ilustrim: Atdhe Mulla

Deputetët nuk votojnë, nuk kalon asnjë projektligj në Kuvend

Edhe pse në sallë ishin mbi 70 deputetë, një pjesë e tyre refuzonin edhe të votonin. Nga 5 projektligje sa ishin në votim dhe 4 raporte vjetore, asnjëra nuk kaloi, ngase deputetët nuk votonin.

“Nuk duan të votojnë deputetët. Jo edhe njëherë jo, nuk jam unë lodër e juaja”, u tha kryesuesi Xhavit Haliti – deputetëve, të cilët kërkonin rivotim.

Pesë projektligjet që nuk kaluan: Projektligji për aktet juridike; Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në të ardhurat personale; Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në të ardhurat e korporatave; Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në vlerën e shtuar; si dhe Projektligji për miniera dhe minerale.

“Në sallë 70 deputetë, por kanë votuar vetëm 60”, tha kryesuesi Haliti.

Më pas nuk u votuan as raportet vjetore.

“E njëjta situatë, e lëmë për seancën e ardhshme deri sa të merr formë të prerë votimi”, tha Haliti.

Nuk morën votat e mjaftueshme as raporti vjetor financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2017; Raporti vjetor të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës për vitin 2017; Raporti vjetor të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore për vitin 2017; si dhe Raporti vjetor të Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale për vitin 2017.

Më pas reagoi deputeti më i vjetër i Kuvendit të Kosovës, Adem Mikullovci, ku u kërkoi deputetëve të votojnë për ose kundër, por jo mos të votojnë hiç.

“Të nderum, kur jeni betu si deputet, kemi marr obligim që të votoni për ose kundër, por jo mos me votu hiq. Mos e prishni mbledhjen”, tha Mikullovci.

Me të u pajtua edhe deputeti Milaim Zeka.

“Deshta me mbështet fjalën e bacit Adem”, tha Milaim Zeka.

Paraprakisht deputetët nuk votuan as për rezoluta.

https://kallxo.com/deputetet-votojne-vetem-1-nga-4-rezolutat/

Seanca po vazhdon me propozimin për formimin e dy komisioneve hetimore parlamentare.