Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së. Foto: Kallxo.com

Deputetët Nuk e Dinë a Është Duke Punuar Shefi i AKI-së

Paqartësia rreth të ardhmes së shefit të Agjencionit Kosovar të Inteligjencës (AKI), Driton Gashi, i ka lënë të presin sot anëtarët e Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e këtij institucioni.

Gashi ka qenë i thirrur të raportojë sot para komisionit për ngjarjet që çuan në deportimin misterioz të gjashtë shtetasve turq të enjten e kaluar.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar një ditë më vonë lirimin nga detyra të Driton Gashit dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj.

Por përderisa Sefaj e ka lënë detyrën të martën, për shkartkimin e Driton Gashit nevojitet edhe nënshkrimi i Presidentit Hashim Thaçi, gjë të cilën ai ende nuk e ka bërë.

“Mua më vjen keq që nuk kam ndonjë lajm konkret për juve. Neve nuk na është përgjigjë askush nga AKI”, tha kryetarja e Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e AKI-së, Ganimete Musliu, pas dështimit të mbledhjes së sotme.

Ajo kërkoi nga kryeministri Haradinaj ta sqarojë këtë situatë.

“Ne kërkojmë një sqarim nga kryeministri, se a është liruar Driton Gashi apo është në detyrë. Sepse ne është dashtë të kemi një dokument zyrtar nga Kryeministri për shefin e AKI-së. Ne sot do i shkruajmë qeverisë dhe në bazë të përgjigjes do vendosim së kë do e thërrasim”, shtoi ajo.

Megjithatë, Musliu tha se ky komision nuk mund të bëjë hetime për rastin.

Nga ana tjetër, anëtari i Komisionit nga Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, kritikoi shefin e AKI-së për atë që ai e quajti “neglizhencë” ndaj raportimit në komision.

“Për herë të tretë po e neglizhojnë komisionin parlamentar… Drejtori i AKI i cili nuk dihet a është i shkaktuar apo jo sepse deri më tash nuk na ka ardhë asnjë vendim”, tha Rexhaj.

“Saherë që ky drejtor i AKI-së ka ardhë në këtë komision nuk është sjellë mirë… nuk i është përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të komisionit. Nuk ka kurrfarë vullneti për të ardhë dhe për të dhënë deklaratë”, tha ai.