Prekaz- Memoriali Familja Jashari

Deputetët ngritin dyshime për keqpërdorime milionëshe në kompleksin memorial ‘Adem Jashari' në Prekaz

Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor ka shqyrtuar gjendjen aktuale të komplekseve memoriale në Kosovë.

Në këtë komision u tha se nga 121 komplekse memoriale të cilat janë në mbikëqyrje të Agjencisë për menaxhim të komplekseve memoriale synimi primar është ai i Adem Jasharit në Prekaz.

Bislim Zogaj, drejtor i Agjencisë për menaxhimin e komplekseve memoriale, prezantoi raportin para deputetëve të këtij komisioni. Ai tha se si Agjencion do të mundohen të zgjerohen edhe me tutje në mirëmbajtjen e tyre.

“Kemi shumë komplekse memoriale që kanë kaluar në këtë Agjencion. Punët janë bërë edhe shkel e shko ku mungon edhe mirëmbajtja e me ç ‘rast janë dëmtuar. Kompleksi primar është Adem Jashari dhe pastaj të tjerat”, tha ai.

Sipas tij, kanë pasur problem edhe me një kompani, e cila nuk e ka kryer punën si duhet, duke u përgjigjur edhe për çështjen e shtëpisë muze “Ukshin Hoti” në Krushë të Madhe, shtruar nga deputeti Andin Hoti.

“Jemi të obliguar që për kompleksin Adem Jashari në fillim të vitit të ri të jemi gati të hapim tenderin. Sa i përket shtëpisë së Ukshin Hotit, për momentin është në mbikëqyrjen e Ministrisë së Kulturës. Komuna e Rahovecit duhet që ta kalojë në kompetencën tonë, që nëse kalon do të sigurohen mjetet”, tha Zogaj.

Kryetari i Komisionit, Muharrem Nitaj, tha se raporti i paraqitur nuk është i plotë për shkak se nuk përmban të dhëna financiare.

Deputetja, Besa Gaxherri kërkoi që raporti të plotësohet edhe me të dhëna financiare, pasi që sipas saj, po keqpërdoren fondet e ndara për komplekse memoriale.

“Shihet se ky raport është shumë i mangët, dhe me këtë raport shumë pak mund ta ndryshojmë gjendjen. Në kompleksin Adem Jashari, që e kemi pak të dhëna, janë investuar mbi 10 milionë euro, jam e sigurt që aty nuk janë shkuar më shumë se 3-4 milionë euro”, tha ajo.

Deputetja, Ganimete Musliu, ngriti si shqetësim gjendjen e kullave, që sipas saj nuk po bëhet sa duhet në mirëmbajtjen e tyre.

“Komplekset dallojnë nga pesha, siç është memoriali Adem Jashari i cili duhet të dallohet”, tha Musliu.

Ndërsa, Lutfi Zharku, tha se edhe kryetarët të komunave të përkushtohen në mirëmbajtën e varrezave të dëshmorëve.

“Për varrezat e dëshmoreve përkujdesemi vetëm në rastet përkujtimore të tyre, pra, më shumë përkujdesen familjarët se institucionet. Agjencioni më u koncentru që edhe komunat më u përkujdes më shumë për to”, tha ai.

Në këtë Komision janë miratuar projektligjet për Mbrojtjen nga Zhurma dhe ai për Krijimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Hapësinor në Republikën e Kosovës, me 5 vota pro dhe një abstenim.