Deputetët me mospajtime rreth përfshirjes së britanikëve në konkursin për drejtor të RTK-së

Konkursi i anuluar për drejtor gjeneral të RTK-së ka qenë pikë diskutimi në Komisionin për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Medie, ku të ftuar kanë qenë anëtarët e Bordit të Radio Televizionit të Kosovës.

Kryetarja e Bordit të RTK-së, Afërdita Maliqi gjatë kësaj mbledhje tha se konkursi është anuluar për shkak që 3 nga 5 kandidatët që kanë kandiduar nuk i kanë përmbushur kriteret.

“Meqenëse është pozitë e lartë komplet bordi ka qenë pjesë e komisionit përzgjedhës. Me datë 11 dhjetor sipas procedurë bordi i ka hapur aplikacionet, nga 5 që kanë kandiduar 3 kanë qenë që si përmbushin kriteret. Me këtë rast bordi me vota unanime ka marrë vendim me shpallë konkursin sërish, jemi në procedurë nuk është anulu”, ka thënë Maliqi.

Ajo po ashtu tha se me ligjin aktual më 27 janar 2019 i skadon mandati drejtorit aktual dhe nuk ka të drejtë të kandidojë sërish.

Valon Ramadani, anëtar nga VV në Komisionin për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Medie tha se kriteri prej 7 vitesh i vendosur nga ana e bordit për drejtorin gjeneral është shumë diskriminues.

Shqipe Pantina nga PSD pati një kërkesë që në konkursin e ri të jetë pjesë edhe kompania rekrutuese e kontraktura nga ambasada britanike.

“Kam një kërkesë që kjo procedurë të jetë sa më transparente ta ftoni kompaninë nga ambasada britanike që është nënshkruar mes Kuvendit dhe Qeverisë për punësimet në pozita të larta”, tha Pantina.

Kurse kryetari i  Komisionint për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Medie, Nait Hasani, tha se Kuvendi ka bërë shkelje të madhe që ka nënshkruar memorandum rekrutimi me ambasadën britanike.

“Unë mendoj se kuvendi ka nënshkruar një marrëveshje të keqe”, ka thënë ai.

E për këtë anëtarja nga PSD, Shqipe Pantina tha se marrëveshja me britanikët nuk është e jashtëligjshme.

“Kryetari e Kuvendit e ka nënshkruar marrëveshjen me britanikët, askush nuk e ka konstesu se është e jashtëligjshme dhe ju kërkoj me ftu për rekrutim”, tha ajo.

Kurse Rasim Selmanaj nga AAK tha që përpilimi i konkursit nga ana e bordit dhe vendosja e kriteret për përvojë 7 vite është në kundërshtim me ligjin në fuqi.

“Ajo çka kërkoj me u respektu është ligji. Unë personalisht e pash ligjin në fuqi, ku aty thotë të ketë përvojë më menaxhim të fushës së mediave dhe relevante, askund nuk shkruan që të ketë 7 vjet përvojë. Po ashtu edhe kriteri tjetër që të ketë përvojë në media të transmetuese, i keni anashkaluar personat e tjerave mediave të kandidojnë”, tha Selmanaj.

Koment për pjesëmarrjen e kompanisë nga ambasada britanike për rekrutim pati edhe anëtarja e këtij komisioni nga PDK, Xhevahire Izmaku.

“Sa i përket ambasadës britanike jam kundër që ajo të marrë pjesë në zgjedhjen e drejtorit sepse nuk është në rregull të kontrollohet pozita e drejtorit, momentin që e kemi zgjedh një bord ata duhet (ta zgjedhin drejtorin)”, tha ajo.

Kurse anëtari i Bordit të RTK-së, Sali Bashota iu përgjigj deputetëve se në memorandumin e Kuvendit dhe qeverisë mes kompanisë britanike nuk është e përfshirë pozita e drejtorit të RTK-së.

“Të gjithë kanë pasur të drejtë të kandidojnë të gjithë kandidatët nga e gjithë Kosova, të gjitha proceduat kanë qenë transparente. Në pjesën e nënshkrimit të marrëveshjeve me britanikët, të monitorimit nuk është përfshirë RTK. Asnjë shkelje ligjore nuk është bërë në këto kritere”, tha Bashota.

Në këtë komision ishte edhe pika ndryshe për diskutim por Hasani largoi mediat nga kjo pikë pa e vënë në votim për anëtarët e tjerë këtë vendim.