Deputetët kërkojnë nga Thaçi letrat me Mogherinin rreth EULEX-it

Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Legjislacion, Albulena Haxhiu tha se komisioni pas një diskutimi dy orësh kanë vendosur që mos ta miratojnë projektligjin për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

“Ne në mbledhje të komisionit kemi pasur debate të shumta gati dy orëshe, por unë vetëm do ta lexoj rekomandimin e komisionit, i cili është që të mos miratohet në parim projektiligji për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit”, tha Albulena Haxhiu.

Haxhiu gjithashtu në emër të grupit parlamentar të Vetëvendosjes shprehu brengën për grevën e administratës së gjyqësorit dhe neglizhencën e Qeverisë.

“Unë në emër të Vetëvendosjes dua ta shpreh brengën e grupit parlamentar në lidhje me neglizhencën e kryeministrit Haradinaj ndaj grevës së administratës së gjyqësorit rreth 2000 punëtorë që po kërkojnë rregullimin e statusit të tyre, qeveria duhet ta ketë vëmendjen te administrate e gjyqësorit”, shtoi Haxhiu.

Deputetja Haxhiu gjithashtu tha se si grup parlamentar kanë kërkuar nga zyra e Presidencës qasje në letërkëmbimin në mes të presidentit Thaçi dhe Mogherinit për mandatin e ardhshëm të misionit të BE-së që do ta pasojë EULEX-in, por tha se ende nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

“Misioni i i EULEX-it ka qenë mision politik dhe i dështuar, ne kemi kërkuar nga zyra e Presidencës që të kemi qasje në letërkëmbimin ndërmjet Presidentit Thaçi dhe Frederika Mogherinit dhe ende, ndonëse secili deputet ka të drejtë për qasje në secilin dokument publik që nuk është konfidencial dhe ende nuk kemi marrë letërkëmbimin” tha Haxhiu.