Deputetët kërkojnë kujdes gjatë trajtimit të Projekt-Kodit të Procedurës penale

Në seancën e Kuvendit të Kosovës po bëhet shqyrtimi i parë i Projekt-kodit të Procedurës penale.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri tha se nga 547 nene që i ka kodi aktual, 220 prej tyre janë shqyrtuar dhe janë harmonizuar me parimet më të larta të një sistemi ligjor efikas dhe të drejtë.

“Pjesa më e rëndësishme e ndryshimeve kanë pasur këto nene që lidhen me adresimin e problemeve praktike që janë hasur gjatë zbatimit të tij.  Një pjesë tjetër është hartuar me qëllim të përmbushjes së obligimeve dhe rekomandimeve nga raportet e Komisionit Evropian.

Sipas Tahirit, ndryshimet themelore që vlen të përmenden mes tjerash janë rastet për suspendimet e zyrtarëve publik.

“Suspendimet e zyrtarëve publik për të cilët është ngritur aktakuzë për vepër penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare korrupsionit dhe disa veprave të tjera, kjo ka qenë ndër kriteret për plotësimin e agjendës së reformave evropiane. Qëllimi i këtij propozimi është që përmes suspendimit të zyrtarëve të akuzuar të parandalohet keqpërdorimi i mëtutjeshëm i autoriteti dhe të mos i lihet mundësia të ndikohet në prova element ky kyç për ti siguruar ndjekje penale të suksesshme”, theksoi ai.

Ministri shtoi se si pjesë e rekomandimeve të BE-së, është shtuar edhe alternativa për zgjatje të afatit të hetimeve.

“Periudha kohore e hetimit në parim është dy vjet, por mund të zgjas  nga gjyqtari i procedurës paraprake çdo gjashtë muaj për një periudhë maksimale edhe prej dy vitesh. Koha e  hetimeve mund të zgjas prej katër vitesh vetëm në disa rrethana specifike”, tha ministri.

Ndërkaq, deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu njëherësh kryetare e Komisionit për Legjislacion tha se kanë kërkuar që të mos votohet projekt-kodi.

“Disa prej shqetësimeve të anëtarëve të komisionit, kanë qenë nenet 177 që flet për suspendimin e personit zyrtar nga detyra, pastaj neni 306 që flet për gjykimin në mungesë. Një prej diskutimeve ka qenë edhe zgjatja e afatit të hetimeve nga prokurorët. Prandaj kemi vendosur që të mos e përkrahim në parim këtë projekt-kod”, tha ajo.

Ndërkaq, deputeti Korab Sejdiu nga Grupi Parlamentar i LDK-së, tha se do të kontribuojnë përmes amendamenteve në komision.

Kurse, deputeti Hajdar Beqa nga PDK tha se ky kod është në vazhdën e ligjeve që e kompletojnë sistemin e drejtësisë.

“Koha është ta miratojmë edhe këtë. Si grup parlamentar do ta japim kontributin tonë mes dy leximeve dhe në grup punues në Komisionin për Legjislacion. I ftojmë edhe kolegët e tjerë që ta votojnë”, shtoi deputeti.

Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje tha se ka vërejtje dhe pyetje për Projekt-kodin e Procedurës Penale.

Në emër të AAK-së, deputeti Shkumbin Demaliaj tha se grupi i tyre parlamentar është pro Projekt-kodit të Procedurës Penale.

“Sepse po finalizohet dhe po kompletohet kjo pjesë e sistemit të drejtësisë. Meqenëse edhe ministri është këtu është mirë që këtë skepticizmin që edhe opozita po e kundërshton me e marr dhe me trajtu me kujdes”, tha deputeti.

Kurse, deputetja Shqipe Pantina nga PSD-ja tha se mungesa e sundimit të ligjit është pengesë kryesore në Kosovë.

“Jo vetëm për vizat por të tjerët na thonë se ne ende nuk e kemi luftuar mjaftueshëm korrupsionin dhe krimin. Në parim do ta mbështesim këtë projekt-kod, por vërejtja jonë mbetet te afati nën hetime. Afatet duhet të zvogëlohen”, tha ajo.

Kurse, Bilall Sherifi, ka konfirmuar përkrahjen e NISMA-s, duke thënë se do ta japin kontributin e tyre për çështjet që u ngritën.

“Edhe NISMA qysh në komision i ka dhënë mbështetje këtij ligji. Këtu për gjitha çështjet që u ngritën do të vazhdojmë ta japim kontributin tonë mes dy leximeve”, tha Sherifi.